Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka themeluar Task forcën për përgatitjen e aksionit “Ta pastrojmë Kamenicën” , i cili do të fillojë me datën 15 shtator deri më datën 15 dhjetor të këtij viti.
Ky aktivitet është organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në gjithë Kosovën dhe pesë komunat e përzgjedhura për pastrimin më të mirë do të fitojnë grant nga MMPH-ja.
Kryetari Kastrati në takimin me Task forcën tha se Komuna e Kamenicës është njëra nga komunat më të pastra dhe më të gjelbëruara në nivel të Kosovës dhe duhet të angazhohemi maksimalisht për pastrimin e Komunës gjatë kësaj periudhe.
U.d ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi u sqaroi Task forcës të krijuar nga kryetari Kastrati për ecurinë e këtij aksioni, i cili do të mbahet në gjithë Kosovën.
Ndërkaq, koordinatori i kësaj Task force Faton Jakupi tha se kanë bërë identifikimin e 17 zonave ku do të zhvillohet aktiviteti dhe se janë marrur masat paraprake që gjithçka të shkoj mirë.
Anëtarët e kësaj Task force paraqitën idetë e tyre se si mund të realizohet sa më mirë ky aksion dhe treguan gadishmërinë për këtë inciativë.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet do të jenë edhe FSK-ja, Policia e Kosovës, Inspektorati Komunal dhe KFOR-i, të cilët këto aktivitete do t’i zhvillojnë në koordinim me Task Forcën e Qeverisë së Kosovës. Për këtë aksion Komuna e Kamenicës do ta ketë përkrahjen e MMPH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Koordinatori Jakupi ka bërë apel që këtij aksioni t’i bashkangjiten të gjitha partitë politike, qytetarë të Kamenicës, bizneset dhe të rinjtë vullnetarë.