Në Gjilan do të mbahet edicioni i dytë i festivalit muzikor “N’rrot Fest”

Në Gjilan do të mbahet edicioni i dytë i festivalit muzikor “N’rrot Fest”

Falë përkushtimit që kanë, menaxheri Qëndrim Kqiku dhe ideatori Albert Fazliu, Festivali Muzikor “N’rrot Fest”, do të mbahet për të dytën herë në komunën e Gjilanit. Festivali parashihet të mbahet më 29 shtator, ora 21:00, në objektin e ish Club-it “Stop”, prapa QT “interex”.

Ky Festival që do të sjellë për të rinjtë gjilanas, DJ të njohur, përveç që ngërthen në vete atraksion e dëfrim dhe i jep gjallëri qytetit, ka karakter edhe social/humanitar, sepse mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave do të përdorën për qëllime humane.

e sponzorizuar

Rikujtojmë se me mjetet e grumbulluara nga edicioni i parë i këtij festivali kulturor me karakter social u patën ndihmuar 22 familje skamnore të Komunës së Gjilanit.

Organizatorët thanë se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet e duhura që edhe ky edicion të jetë i suksesshëm sikurse ai i pari dhe se për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike, premtojnë natë të veçantë me muzikë të zgjedhur nga DJ, tashmë të dëshmuar në vend.

Menaxheri Qëndrim Kqiku, fton të gjithë qytetarët anekënd Kosovës t’i bashkohen kësaj ngjarje, marrë parasysh edhe karakteri e festivalit, pra që përveç argëtimit, pjesëmarrjes në një festë të vërtetë, në një ndejë të mirë, të rritet edhe mundësia e ndihmës për ata që kanë nevojë.

““N’rrot Fest”, , është një ngjarje kulturore që Gjilanit do t’i sjellë artistë të ndryshëm nga të gjitha qytetet e Kosovës. Ky Festival ka karakter social që e bënë të dallohet nga festivalet tjera. Në Ediconin e dytë do pritet të jenë të pranishëm gjashtë apo shtatë DJ, dy prej të cilëve ishin edhe pjesëmarrës në edicionin e parë dhe do të vijnë sërish pas kërkesës së audiencës. Bëhet fjalë për Trim Cërmjani- MINDBEND, Era Buza Buza-Era. Do të mundohemi që edhe të tjerët të jenë artistë me emër që kanë marrë pjesë edhe në festivale ndërkombëtare”, ka thënë Kqiku.

Ai ka bërë me dije se biletat për këtë festival do të dalin në shitje me 24 shtator, ku në Prishtinë mund t’i gjeni tek “Miqtë Pub”, ndërsa në Gjilan do të ketë më shumë pika të shitjes duke përfshirë atë para Teatrit të Qytetit. Gjithsesi për këtë dhe gjithçka tjetër rreth festivalit, publiku do të njoftohet me kohë nga organizatori.

Nga ana e tij, edhe Ideatori Albert Fazliu mirëpret pjesëmarrësit në këtë festival dhe premton një natë të paharruar për të gjithë adhuruesit e muzikës elektronike. Ai ka ftuar të gjithë të vijnë në festivalin ‘N’Rrot Fest”, për t’u dëfryer, por edhe për të ndihmuar, duke pasur parasysh karakterin e festivalit.

KOMENTE