Organizuar nga Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti sot në Viti, është mbajtur një takim në mes të përfaqësuesve të Këshillave të Fshatrave, përfaqësuesit nga DORSCH/CDI , Astrit Vokshi dhe Muhamed Suliqi – Kryeshef ekzekutiv nga Kompania Rajonale e Ujërave “Hidromorava”- Gjilan.
Takimi është mbajtur me qëllim që fshatrat e Komunës së Vitisë, të cilët nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të njoftohen rreth paqartësive, konkretisht rreth projekteve të ujësjellësit që janë realizuar dhe po realizohen në bashkëpunim të Komunës së Vitisë me DORSCH/CDI si dhe për hapat e mëtutjeshëm për sigurimin sa më të shpejt të ujit të pijshëm në lokalitetet e ndryshme të kësaj komune si në : Sllatinë të Epërme, Sllatinë të Poshtme, Sadovinë të Jerlive, Sadovinë të Çerkezëve, Trestenik, Tërpezë, Goshicë, Vërban, Binqë, Shushtë, Debelldeh, Potgorcë, Tërpezë, Gjylekarë, Budrikë, Beguncë, Stubëll dhe Letnicë etj.
Gjatë këtij takimi Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti potencoi se kjo komunë po merr seriozisht problemin me ujë të pijshëm me të cilët po përballët qytetarët e kësaj komune. Ai potencoi se për shkak të marrëveshjeve nga qeveritë e mëparshme dhe të borxheve të trashëguar ata kanë hasur në probleme gjatë realizimit të projekteve të ujësjellësit në lokalitet e ndryshme të kësaj komune.
“Jemi të pakënaqur me ngecjet e shumta në realizimin e projekteve për sigurimin e ujit të pijshëm në lokalitet e ndryshme të Komunës së Vitisë. Probleme na kanë shkaktuar marrëveshjet e mëparshme të bërë nga qeveritë komunale por edhe borxhet të cilët i kemi trashëguar. Ne kemi bërë çmos që të ç’bllokojmë këto procese dhe të sigurojmë sa më parë ujë të pijshëm për qytetarët e Komunës së Vitisë”, u shpreh Haliti.
Ai pati kritika edhe ndaj nivelit qendror për neglizhencë të përkrahjes së kësaj komune për të siguruar ujë të pijshëm për qytetarët vitias.
Haliti megjithatë shtoj se për projektet e ujësjellësit në Komunën e Vitisë, ata kanë pasur takime të shpeshta me përfaqësuesit e DORSCH/CDI-së, KRU “Hidromorava”- Gjilan por edhe me vetë banorët.
Ndërkaq gjatë këtij takimi u bë me dije se orëmatësit do të sigurohen nga DORSCH/CDI, kyçjet individuale do të bëhen nga vetë banorët ndërkaq menaxhimi i ujit të pijshëm në cilësinë e duhur do të bëhet nga KRU “Hidromorava” në Gjilan.
Në këtë takim shumica e përfaqësuesve të fshatrave u pajtuan për këtë çështje dhe kërkuan nga DORSCH/CDI dhe Komuna e Vitisë, që sa më parë të sigurohet uji i pijshëm.
Ndërkaq edhe kryetari Haliti shtoj se sigurimi i ujit të pijshëm është prioritet kryesor dhe se do të trokas në çdo derë që qytetarët e kësaj komune të kenë qasje në ujë të pijshëm.