KKSB vlerëson situatën e qetë e stabile por shqetësim mbeten aksidentet me fatalitet

KKSB vlerëson situatën e qetë e stabile por shqetësim mbeten aksidentet me fatalitet

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ka mbajtur mbledhjen e pestë të radhës në të cilën është vlerësuar gjendja e sigurisë e qetë dhe stabile.

Kryesuesi i këtij takimi,zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, ka theksuar se po thuajse të gjitha rekomandimet e dala nga takimi i fundit, janë zbatuar dhe kjo dëshmon funksionalitetin që ka KKSB në Viti.

Ai mes tjareash ka falenderuar edhe institucionet e sigurisë, si dhe mekanizmat e tjerë relevant, për angazhimin e treguar në sezonin veror, kur ka pasur ahengje festive-dasma, pastaj ardhje të mërgimtarëve dhe festave të ndryshme, të cilat janë zhvilluar pa ndonjë ekces.

Kurse për situatën e sigurisë, komandanti i stacionit policor në Viti, Afrim Halili, ka njoftuar se ka qenë gjendja stabile dhe aktualisht nuk ka tendenca të keqësimit.

“Nga ngjarjet që kanë karakterizuar komunën e Vitisë, do të veçoja organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, të cilat kanë kaluar pa ekcese”, ka thënë kapiteni Halili.

Duke folur për periudhën e muajve të fundit, ai theksoi se rastet e vjedhjeve kanë shënuar rënie. Por shqetësimi më i madh sipas tij, janë aksidentet me fatalitet, ku në 6 aksidente janë shënuar 7 viktima.

“Numri i aksidenteve është më i vogël se sa në vitin e kaluar, po është tejet shqetësuese që sivjet kemi rritje të numrit të të vdekurve në aksidente. Na mbetet të fokusohemi që të parandalojm aksidentetet”, ka thënë Halili.

Lidhur me këtë temë, është kyqur edhe togeri i FSK-së Fidan Kastrati, i cili propozoj që të fillohet me një kampanjë nëpër shkolla, që do të ndikonte në vetëdijësimin e nxënëse të cilët së shpejti mund të jenë shofer.

Edhe pjesmarrësit e tjerë, shqetësim e konsideruan ngasjen e shpejtë dhe e pakontrolluar në trafik, ndërkaq po ashtu edhe si problematik e identifikuan pranin tejet të madhe të qenve endacak në rrugë, pranin e personave në oborre të shkollave pas orarit të mësimit etj.

Si rekomandim në këtë mbledhje, doli që të ndalohet prania e personave pas orarit të mësimit në oborret e shkollave, si dhe shtimi i inspektimeve nga inspektorët e ambienteit në terren.

KOMENTE