Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e parë për këtë vit, nën drejtimin e Kushtrim Kadriut, kryesues, pos pikave të rregullta të rendit të ditës, ka diskutuar edhe për shumë çështje të tjera, të cilat u ngritën nga këshilltarët Avdyl Aliu, Imran Haziri, Ismajl Kurteshi, Bujar Nevzati, Gentrit Murseli, Besnik Shala, Sami Ahmeti, Afërdita Balaj, Ardhmërie Musliu, Nazim Gagica, Ramiz Ramadani, Riad Elezi, Gresa Avdiu, Arianit Sadiku, Ekrem Kryeziu dhe Shpresa Kurteshi.
Duke u përgjigjur në pyetjet e ngritura prej tyre, kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se lajm i mirë është se sivjet do të bëhet shpronësimi për rrugën qarkore ekzistuese për 226 familje, të cilat kanë pritur 25 vite.
Përndryshe, ai ka thënë se sivjet do të nisen projekte të mëdha, siç është sheshi i qytetit dhe për këtë qëllim janë përgatitur alternativa për qarkullim, siç është zgjerimi i rrugës “Hamdi Kurteshi” në katër krosi, ndërkohë është nënshkruar memorandumi edhe për unazën e re të qytetit, një projekt ky ndoshta më i madhi që është realizuar ndonjëherë në qytetin e Gjilanit.
“Këto projekte krijojnë mundësi për lëvizje e qarkullim alternativ, pas pasur nevojë të shfrytëzohet qendra e qytetit”, ka thënë kryetari Hyseni.
Edhe për sa i përket rrugës së Kumanovës, ai ka thënë se punimet atje janë duke vazhduar, pos në një pjesë të shkurtër e cila është bllokuar nga një kompani, për shkak të shpronësimit, por u shpreh i bindur se ky problem do të tejkalohet, për çka pritet të ketë një takim me pronarin e këtij biznesi.
Kurse në lidhje me pyetjen për varrezat e reja të qytetit, kryetari Hyseni ka thënë se tashmë e kemi një projekt ideor, ku parashihet gjithë infrastruktura e nevojshme, përfshirë edhe hapësirat për komunitetet tjera, morgu, rruga, parkimi dhe detajet tjera.
Ai ka folur edhe për projektet tjera që janë prezantuar këto ditë dhe ka shtuar se për të gjitha ato janë të siguruara edhe financat.
“Për të gjitha projektet që kemi promovuar dhe do t`i promovojmë, mjetet i kemi të siguruara dhe për aq punë sa bëhet, nuk do të mbetemi borxh për asnjë cent”, ka thënë kryetari Hyseni.
Opozita i ka parë me dyshime premtimet për këtë vit dhe nga një pjesë e saj janë cilësuar edhe mashtrime.
Përndryshe, Kuvendi ka shqyrtuar dhe miratuar Planin Zhvillimor të Arsimit 2023-2026, i cili identifikon sfidat në fushat e edukimit në fëmijërinë e hershme, në arsimin para universitar, në arsimin, aftësimin profesional dhe arsimin e të rriturve si dhe në fushën e digjitalizimit të arsimit.
Kuvendi ka diskutuar edhe për gjendjen në sektorin e mbeturinave dhe pas një debati më të gjerë rreth partneritetit me kompaninë “Ecohigjiena”, ka rekomanduar një auditim në këtë kompani për sa i përket përmbushjes së obligimeve të kontratës nga partneri privat.
Po ashtu është shqyrtuar edhe rekomandimi i Komitetit të Urbanizmit për heqjen e vazove në sheshin e qytetit, pasi ato po vlerësohen si pengesë për lëvizjen e qytetarëve dhe aktivitetin e bizneseve në atë zonë, ndërkohë që edhe kompania projektuese është dakorduar me këtë kërkesë.
Kuvendi ka miratuar edhe marrëveshjen ndërkomunale me Komunën e Parteshit, për nevoja të ndërtimit të impiantit dhe infrastrukturës tjetër për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Uglar.
Kuvendi ka miratuar edhe raportet e punës së Komiteteve për vitin 2023, planet e punës së këtyre trupave komunale për vitin 2024, sikurse edhe të planit të punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, me disa plotësime.
Po ashtu u miratua edhe ndryshimi në përbërjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, pas prishjes së koalicionit qeverisës, me ç`rast LDK-ja e tërhoqi një anëtar të saj, pasi që kryesuesi i kësaj trupe, njëherësh edhe i Kuvendit, vjen nga radhët e partnerit të saj ‘Vatra’.
Kuvendi është njoftuar edhe me procesin e deritashëm të zgjedhjeve për këshilla lokalë si dhe ka vendosur për kompensimin e anëtarëve të komisionit, me një shumë prej 50 euro për çdo takim. /2LONLINE/