Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Mbrojtjes, Armend Mehaj, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të dy nxënësve që u vranë nga sulmi me armë zjarri në autobusin me nxënës, në Gllogjan të Deçanit.
Ai u shprehu ngushëllime familjeve Mustafaj dhe Hamzaj për humbjen e tyre nga ky akt kriminal dhe mizor. Krahas pikëllimit dhe mallëngjimit, ndejmë zemërim dhe indinjatë për këtë vrasje të trefishtë, u shpreh kryeministri Kurti, teksa tha se Policia e Kosovës e ka siguruar që po bëjnë gjithçka që është e mundur që sa më parë ta kapin vrasësin ose vrasësit dhe ta mundësojnë drejtësisë dhe ndëshkimin për ta.
Nga Gllogjani, kryeministri Kurti përsëriti edhe një herë apelin ndaj qytetarëve që të ndajnë me organet e rendit çdo informacion të mundshëm që mund të çojë deri te zbardhja apo zbulimi i këtij rasti, duke i siguruar ata që do t’u ruhet konfidencialiteti i tyre. Qytetarët mund ta bëjnë këtë në numrat e telefonit 0 800 199 99 apo 192 dhe adresën elektronike [email protected]. Shpërblimi për informacione që shpijnë deri në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti është 20 mijë euro. /2LONLINE.com/