Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pati një takim me Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropë (SACEUR), Gjeneralin Tod D. Wolters, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme dhe situatën e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjërë.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar gjeneralin Wolters për të arriturat e institucioneve të Kosovës në të gjitha fushat, veçmas në atë të sigurisë, duke theksuar orientimin properëndimor dhe euroatlantik të Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar gjeneralin Wolters dhe NATO-n për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset dhe për misionin e tyre në krijimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen e mëtejme në avancimin dhe profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Kosova është e rreshtuar me ushtritë e lirisë e të paqes dhe se FSK-ja multientike dhe profesionale po avancohet sipas standardeve të NATO-s si ofruese e sigurisë në vend e rajon”, tha kryeministri Haradinaj duke theksuar se Kosova në aspiratën e saj për anëtarësim në Paktin Veri – Atlantik është konsistente dhe e gatshme të kontribuojë për paqen aty ku kërkohet nga ShBA-ja dhe NATO.