Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e parë të punës priti sot në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, njofton Zyra e kryeminsitrisë.
Kryeministri Haradinaj dhe ambasadori Delawie biseduan për përmbylljen e procesit të krijimit të institucioneve të vendit dhe nevojën e përshpejtimit të përmbushjes së agjendës qeverisëse. Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi përkushtimin e qeverisë së re në dinamizimin e proceseve nëpër të cilat po kalon vendi dhe në avancimin e qeverisjes së mirë, konsolidimin ndërkombëtar të vendit, si dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike për Kosovën. Kryeministri Haradinaj theksoi se përkrahja e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fushat është jetike.
Ambasadori i SHBA-së Greg Delawie e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën si dhe për krijimin e institucioneve të reja, dhe shprehu besimin në punën e përbashkët për avancimin e përparimit të Kosovës në të mirë të qytetarëve të saj.