Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, i shoqëruar nga anëtari i Këshillit, Arben Ismajli, ka pritur në takim kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi dhe nënkryetarin Naim Rudari.
Qëllimi i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, përmes koordinimit në krijimin e politikave për fuqizimin e aktiviteteve dhe realizimin e objektivave ndërinstitucionale.
Me këtë rast, kryesuesi Bahri Hyseni tha se KPK është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha prokuroritë me qëllim të krijimit të kushteve sa me të mira për veprimtarinë e avokatëve brenda sistemit prokurorial dhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, me qëllim të funksionimit dhe fuqizimit të sistemit të drejtësisë.
Kryetari i Odës, Behar Ejupi, vlerësoi bashkëpunimin me sistemin prokurorial, ndërsa shprehi nevojën për ngritjen dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve, me qëllim të eliminimit të sfidave eventuale.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që të vazhdojnë me komunikim të rregullt ndërinstitucional për identifikimin e çështjeve që janë me rëndësi për të dyja institucionet dhe për t’i avancuar bashkërisht proceset.