Kosova u përfaqësua nga 14 karateistë gjatë fundjavës në garën Karate 1 Series A për senior, që u mbajt në Salzburg të Austrisë.
Suksesin më të madh e arriti Albulena Gërvalla, e cila javë më parë fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian U-21. Gërvalla në Salzburg e zuri vendin e nëntë nga 104 garuese, në kategorinë deri në 55 kilogramë. Ajo shënoi tri fitore, një në garat e rregullta, ndërsa dy në repesazh.
Tri fitore realizoi edhe Alvin Karaqi, i cili mbetet në garë për të fituar normën Olimpike Tokyo 2020. Ai në kategorinë (-84 kg) u ndal në luftën e katërt. Sukses të njëjtë shënoi edhe Valdrin Rashiti (-67 kg), që realizoi tri fitore.
Durim Haziri (+84 kg) shënoi dy fitore, ndërsa me nga një fitore e mbyllën garën Elona Kolgeci (-61 kg) dhe Donita Elshani (-68 kg). Garuesit tjerë pësuan humbje në luftën e parë.