Kosova e ka mundur Luksemburgun në udhëtim me rezultat 80:84 (20:25, 25:19, 20:16, 15:24). Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen, duke pasur epërsi 9:15, në çerekun e parë, sidoqoftë, vendasit për disa minuta ishin më të mirë, duke kaluar në epërsi 20:15, por Dardanët nuk dorëzohen dhe këtë pjesë e fitojnë me rezultat 20:25.
Perioda e dytë ishte më e barabartë, por Luksemburgu në fund e fitoi këtë pjesë 25:19, derisa Kombëtaret shkuan në pushim me rezultat 45:44. Luksemburgu e nisi më mirë periudhën e tretë, duke pasur epërsi deri në 15 pikë, 61:46.
Por, Kosova rikthehet furishëm duke afruar rezultatin në 65:60, me çka përfundoi edhe çereku i tretë.
Në dhjetë minutat e fundit, Kosova ishte fantastike, duke barazuar shifrat në 72:72, e më pas me treshet e Erjon Kastratit, por edhe angazhimit të lojtarëve tjerë, kaloi në epërsi.
Dramë ishte deri në momentet e fundit, megjithatë, Dardanët luajtën me zemër dhe fituan 80:84, duke shënuar fitoren e dytë nga dy ndeshje në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2023.
Te Kosova u dalluan Drilon Hajrizi me 25 pikë e shtatë kërcime, Erjon Kastrati me 19 pikë dhe Gëzim Morina me 13.
Në këtë ndeshje, Kosova është përkrahur edhe nga një numër i madh i tifozëve Dardanë.
Ndeshjet e ardhshme do të jenë në nëntor-dhjetor, ndaj Sllovakisë dhe Islandës në udhëtim.