Shkruan: Florim Zeqa
Lansimi i tezave për ndarje dhe shkëmbim territoresh në dialogun e Brukselit, më tepër se realitet, ishin testim për lidershipin tonë se deri në ç’masë mund të shkojnë me kompromiset e tyre. Nënshkrimi pa asnjë hezitim i ish dy kryeministrave kosovarë i marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe dhe miratimi nga deputetët shqiptar në Kuvendin e Kosovës, e ka trimëruar Serbinë për të vazhduar tutje me agresionin politik ndaj Kosovës.
Ndarjet politike prodhuan sovranitet të dyfisht
Edhe pse tashmë Serbia e ka në xhep kartën e themelimit të Asociacionit një etnik serb në veri, siq duket ajo nuk po kënaqet më kaq, ajo po synon shtrirjen e sovranitetit të saj edhe në brendi të Kosovës, e cila tashmë përveqse në pesë komuna në brendi, e ushtron sovranitetin edhe në Manastirin e Deçanit dhe Patriarkanën e Pejës me zgjerim enorm territorial, në kisha dhe lokalitete (fshatra) serbe gjithandej Kosovës të përvetësuara përmes të ashtuquajturit Decentralizim administrativo-politik, produkt i së cilës ndodhi edhe ndarja e qytetit të Mitrovicës në dy pjesë; në Mitrovicën Jugore (shqiptare) dhe në Mitrovicën Veriore (serbe)!
Ndarje kjo e legjitimuar në Kuvendin e Kosovës dhe nga instancat ndërkombëtare!
Ideja e ndërkombëtarëve për një ndarje politike të Kosovës për qëllim e ka ruajtjen e tërësisë gjeografike (mosndryshimin e kufijve të jashtëm), e cila parasheh parcializimin politik dhe juridik brenda tërësisë territoriale dhe kushtetuese (Plani i Ahtisarit).
Sipas projeksioneve të shteteve mosnjohëse dhe disa prej sheteve që e kanë njohur Kosovën, janë të gatshme t’i shpërblejnë serbët e Kosovës jo vetëm në veri, por edhe në brendi me një lloj autonomie e cila vetëm formalisht do të mbetej brenda tërësisë kushtetuese dhe territoriale të Kosovës, në të cilën autonomi do të vetëqeverisen serbët lokal me ligje të Serbisë dhe të dirigjuar drejtëpërdrejt nga Beogradi!
Kësisoji, serbët e Kosovës do ta kenë Serbinë në Kosovë, kurse shqiptarët shumicë në këtë vend do ta gëzojnë “Statusin Special” në shtetin e tyre multietnik të njohur dhe mbikëqyrur nga SHBA-të, OKB-ja dhe BE-ja.
Pa njohje multilaterale të Kosovës nga OKB-ja dhe BE-ja, “autonomistët” serb do të jenë shtetas të Kosovës pa sovranitet (të mbikëqyrur nga OKB dhe BE) dhe shtetas të “autonomisë” shtetërore të Serbisë.
Edhe pse kjo nuk do të konsiderohet ndarje klasike, Kosova si një shtet i papranuar nga instancat më të larta ndërkombëtare (OKB dhe BE) do të trajtohet si territor “Sui generis”, si territor integral dhe treg i Serbisë.
E njohur vetëm unilateralisht (nga shtetet veç e veç), Kosova nuk mund të zbatojë juridikisht standardet e një shteti sovran, derisa mbikëqyret nga organizatat multilaterale OKB-BE!
Serbia humbëse e luftës, sillet si fitimtare e paqes
Si produkt i avancimit të Serbisë në dialogun e Brukselit, ajo në tavolinën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po sillet si humbëse e luftës dhe fitimtare e paqes! Kurse Kosova me fusnotë* sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, po trajtohet si e pabarabartë dhe si palë e “voluntarizmit” politik.
Serbët në institucionet e Kosovës marrin pjesë si shtetformues të privilegjuar me vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, kurse nuk e njohin shtetin e Kosovës por atë të Serbisë!
Nuk do të jetë e largët dita kur do të legalizohet ndarja faktike me njohje “De Jure” të ndarjes politike (jo territoriale)!
Legalizimi i ndarjes politike të Kosovës do të ndodhë përmes të ashtuquajturit “Status Special” jo vetëm në veri, por edhe nëpër enklavat serbe në tërë territorin e vendit.
Por në realitet, statusi special i dizajnuar shumë vite më parë do të aplikohet vetëm ndaj shqiptarëve, sepse serbët janë shtetas zyrtarë të Serbisë!
BE-ja shpërblen krimet serbe, ndëshkon shqiptarët në trojet e veta etnike
Arsyeja pse zyrtarët e BE-së nuk merren asnjëherë me politikën e jashtme të Kosovës është se ajo nuk ekziston. Për këtë arsye ata merren me politikën e brendshme duke e kritikuar në vazhdimësi kualitetin e dobët të qeverisjeve në Kosovë si një paaftësi e shqiptarëve për t’u shtetformuar dhe shtetndërtuar!
Si pasojë e mungesës së efikasitetit të sistemit të drejtësisë, qeverisjeve jo efikase dhe mungesës së unitetit të spektrit politik në Kosovën e pas 17 shkurtit 2008, për çdo gjë ka vendosur BE-ja, duke e fajësuar për çdo gjë Kosovën, përkatësisht shqiptarët e Kosovës me konstatimet e tyre zyrtare se Kosova nuk është shtet ligjor por i kontrabandës, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për fat të keq, këtë konstatim të zyrtarëve të BE-së e ka vërtetuar edhe kryediplomatja e Kosovës në adresimin e parë të saj në Këshill të Sigurimit të OKB-së!
Mirëpo, në këtë rast shtrohet pyetja logjike, kush e ka qeverisur këtë kriminlaitet? Misionet e BE-së apo qeveritë jo faktore dhe jo funksionale të “mbikëqyrura” nga misionet e BE-së?
Përgjigja është e thjeshtë dhe e qartë. Janë të huajt (ndërkombëtarët) ata që e mbajnë në duart e tyre ligjin, po na mbajnë të izoluar tani e 23 vjet dhe po e ndalojnë përcaktimin dhe vetëqeverisjen e shumicës shqiptare në Kosovë!
BE-ja po e ledhaton dhe shpërblen Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht BE-ja, në vend që ta ndëshkojë Serbinë për krimet gjenocidiale të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, ajo po e bën të kundërtën. E ka sjellë Serbinë e Vuçiqit një hap para integrimit në BE anipse ajo nuk ka ndryshuar agjë nga platforma e Millosheviqit ndaj shqiptarëve!
Konfirmimi nga Senati për zgjedhjen e Christopher Hill ambasador i ri i SHBA-së në Serbi nuk është i rastësishëm! Prolongimi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare e ka detyruar presidentin Biden të bëjë zgjedhjen e duhur me emërimin e diplomatit të karrierës ambasador në Serbi, i cili e ka përvojën e zhvillimit të negociatave dhe zgjidhjes së shumë problemeve ndërshtetërore dhe ndëretnike në botë.
Ashtu sikurse Serbia që duhet të përgatitet mirë për efektet diplomatike të ambasadorit Hill, edhe Qeveria e Kosovës duhet ta merrë seriozisht diplomatin amerikan, ngase për dallim nga diplomatët e tjerë perëndimor, ambasadori Christofer Hill palëve në dialog nuk iu lë shumë hapësirë manovrimi, por shumë shpejtë i sjellë para dy zgjidhjeve përfundimtare.
Sikurse që asnjë luftë nuk përfundon pa dialog, edhe dialogu nuk përfundon pa kompromise të dyanshme! Duam apo nuk duam ne, duan apo nuk duan serbët, bashkësia ndërkombëtare nuk do t’na pres pafundësisht derisa ne të dakordohemi për çështjet e hapura mes nesh! Sa më parë që të mbyllet kapitulli i luftërave në Ballkan, e në veçanti i armiqësive shekullore serbo-shqiptare aq më mirë do të jetë për të dy palët. /2LONLINE/