Pas gjendjes së krijuar në vend për shkak të masave parandaluese ndaj virusit COVID-19, Komuna e Kamenicës ka mbajtur çdo ditë mbledhje të kryesuara nga Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, pjesëmarrës në takim ishte edhe nënkryetari i komunës, Faton Jakupi dhe ekipa e taskforcës e kryesuar nga Meriton Ramabaja, në të cilat takime u morën këto masa shtesë për parandalimin e virusit COVID-19:
Janë dezinfektuar të gjitha bizneset dhe të gjitha institucionet publike të Kamenicës,
Është bërë pastrimi gjeneral i të gjitha shkollave dhe çerdhes “Filiza”,
Janë mbyllur të gjitha restaurantet, kafiterit dhe qendrat tregtare,
Është bërë inspektimi i dyqaneve ushqimore, bizneseve dhe farmacive,
QKMF në Kamenicë është mobilizuar në tri ekipe dhe është e gatshme 24 orë për çdo situatë( një ekip tek “Dheu i Bardhë” dhe dy ekipe mobile),
Kryetari Qëndron Kastrati, së bashku me nënkryetarin e Komunës Faton Jakupin, si dhe drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi kanë vizituar ekipet mjekësore në QKMF dhe në kufi tek ‘’Dheu i Bardhë’’,
Po ashtu është ndarë një dhomë e veçantë për rastet e dyshimta në QKMF, si dhe është shpërndarë në mënyrë racionale i gjithë materiali mbrojtës për stafin mjekësor dhe stafin ndihmës në QKMF-Kamenicë, QMF- Roganë dhe Hogosht,
Ekipa mjekësore brenda këtyre dy ditëve ka përfunduar 327 kontrolla tek “Dheu i Bardhë”, ndërkaq 91 pacientë janë kontrolluar në QKMF në Kamenicë, si dhe pesë vizita mjekësore në shtëpi, por që asnjë rast nuk ka qenë i dyshuar me COVID-19,
Janë ndërprerë kontrollat e rregullta për nëna dhe fëmijë në QKMF,
Personat që kanë dyshime se janë infektuar me virus të vetizolohen dhe të kërkojnë ndihmë në linjën telefonike 0280/371-783, pa pasur nevojë të paraqiten në QKMF, ekipi mobil do të intervenojë shpejt,
Sipas vendimit të Qeverisë janë ndërprerë linjat e autobusëve nëpër territorin e Kamenicës dhe në drejtim të komunave tjera,
Gjithashtu janë pezulluar edhe aktivitetet e ndërmarrjes së grumbullimit të mbeturinave “Ecohigjiena”, me qëllim të masave parandaluese ku për 10 ditë do të kufizohen shërbimet vetëm në zonën e qytetit,
Stacioni Policor në Kamenicë do të ofrojë asistencë sipas nevojës dhe kërkesave,
Pezullohen të gjitha aktivitetet e parapara nga Komuna e Kamenicës(diskutime publike) aktivitetet kulturore, sportive, testeve dhe intervistave verbale për punë,
Obligohen marketet ushqimore, furrat dhe barnatoret që të rrisin nivelin e higjienës dhe të dezinfektojnë hapësirat e punës,
Inspektorati komunal vazhdon inspektimet 24 orë në terren, për të inspektuar dhe ndaluar rritjen e çmimeve artificiale të produkteve,
Institucionet publike kanë liruar njërin prind nga puna brenda kësaj periudhe të pezullimit mësimor,
Ndalohen tubimet e çfarëdo natyre si masë preventive ndaj përhapjes së virusit.
Kujdes PO, panik JO!