Komiteti i Arsimit në Gjilan ka kërkuar të mërkurën ndryshimin e formës së organizimit të testit të maturës, meqë siç është thënë nga anëtarët e kësaj trupe komunale, praktika e deritashme ka treguar për një mori të metash dhe dobësish në këtë proces, që do të duhej të ishte një vlerësim real i dijes së nxënësve, ndërsa nuk është i tillë, sepse më të suksesshëm dalin ata që dinë të kopjojnë, se sa ata që bazohen në njohuritë e veta.
Përndryshe, Komiteti i Arsimit ka diskutuar sipërfaqësisht për dy pikat e parapara të rendit të ditës: përfundimin e vitit shkollor dhe testin e maturës, meqë Drejtoria e Arsimit nuk i kishte dërguar informatat për këto dy procese, ndërkaq që në takim mungoi përfaqësuesi i saj.
Kjo ishte arsye që Komiteti të shprehet i pakënaqur sa i përket bashkëpunimit me Drejtorinë e Arsimit.
Arben Mehmeti, kryesues i kësaj trupe komunale, tha se DKA-ja e ka për obligim që të raportojë në Komitet për të gjitha rrjedhat në arsim.
Kritik ndaj DKA-së janë treguar edhe Fehmi Sylejmani (VV) e Idriz Ramadani (LDK), për dallim nga Arta Hyseni (LDK), e cila nuk e parapëlqeu këtë qëndrim, siç tha, derisa nuk dihet arsyeja e palës tjetër për mungesën në këtë takim.
Sa i përket përfundimit të gjysmë vjetorit të dytë, Mehmeti ka thënë se në bazë të njohurive që ka ai, ky vit shkollor mund të vlerësohet i mirë dhe i suksesshëm.
Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se pavarësisht dallimeve politike që kanë anëtarët e Komitetit, arsimi është interes i përbashkët i të gjithë neve.
Sipas meje, niveli 1-9 është për lakmi, por jo edhe shkollimi i mesëm, ku numri i mungesa të nxënësve, është i madh, ndërkaq nuk ka masa disiplinore ndaj tyre, ka thënë ai.
Komiteti u tregua shumë kritik tek testi maturës, i cili, sipas Mehmetit, duhet të reformohet rrënjësisht në aspektin ligjor. Ndërkaq, sipas Sylejmanit, testi i maturës ka dështuar, sepse bazohet në kopjimin masiv dhe nuk jep një pasqyrë reale të dijes së nxënësve.
Idriz Ramadani konsideron se mënyra e deritashme e organizimit të testit të maturës, ka favorizuar nxënësit e dobët, por që kanë qenë më të shkathët në përdorimin e teknologjisë informative, ndërsa i ka dëmtuar nxënësit e mirë. Edhe te mbikëqyrja ka dallime nga komuna në komunë, ka thënë ai.
Edhe Arta Hyseni është e mendimit se rezultati i testi i maturës nuk korrespondon me suksesin real të nxënësve.