Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e shtatorit, të fundit të edicionit të sivjetmë të Ligës së Kombeve.
Janë këto ndeshje kundër Irlandës së Veriut në Belfast, më 24 shtator dhe kundër Qipros, më 27 shtator, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në stërvitjen e parë kanë qenë të pranishëm 11 futbollistë, dy portierët Samir Ujkani e Visar Bekaj, futbollisti i Llapit, Ilir Krasniqi, Florian Loshaj, Florent Hadërgjonaj, Betim Fazliji, Bersant Celina, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Donat Rudhani dhe Vedat Muriqi, derisa pjesa tjetër kanë qëndruar në hotel për rigjenerim, pasi të dielën vonë kanë zhvilluar ndeshje me klubet e tyre, njofotn faqja zyrtare e FFK-së.
Për shkak të lëndimeve të pësuara në ndeshjet e fundjavës në këtë grumbullim do të mungojnë tre lojtarë: Leart Paqarada, Mërgim Vojovda dhe Shkëlqim Vladi.
Stërvitjen e radhës, Dardanët, do ta zhvillojnë, të martën në orën 10:30, në Kampin Nacional në Hajvali, derisa në orën 13:00, përzgjedhësi Alain Giresse, do të mbajë konferencë për media në hotel “Emerald”, njofton FFK-ja. /2LONLINE/