Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka njoftuar se një person 27 vjeç nga Komuna e Kamenicës i cili ishte i prekur me COVID-19 ka ndërruar jetë.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati ka ngushëlluar familjen dhe miqtë e të ndjerit për këtë humbje.
“Një djalë të ri kamenicas sot na e morri virusi i zi. Vështirë të gjenden fjalë për familjen, të cilëve iu shprehë dhimbjen më të sinqertë për këtë humbje! Ju qoftë i paharruar kujtimi për Bersantin, djalë shembullor, profesionist i mprehtë, e shok i dashur.Të dashur qytetarë, jam i vetdijshëm për mënyrën se si organizohemi si komunitet; për respektin; modestinë e dashurinë. Kam qenë vet i pranishëm në situata ku tjetri nga keqardhja, apo ndjenja e respektit ka menduar që zgjatja e dorës është e duhur. Ju lutem mos e bëni një gjë të tillë. Respekt sot është të mos ia zgjatësh dorën tjetrit”, ka thënë ai.
Kastrati ka thënë se të gjithë së bashku duke respektuar udhëzimet e institucioneve kompetente mund ta fitojmë luftën ndaj COVID-19.
“Secili prej nesh jemi ushtarë në luftën e përbashkët kundër këtij virusi. Sonte e humbëm një betejë, por luftën duhet ta fitojmë! Ju lutem shumë, mbajeni distancën; mos folni për dore; dhe mbajeni higjienën shumëfish më shumë se më parë; kufizoni lëvizjet maksimalisht”, ka thënë ai.
Numri total deri më tani i të infektuarve në Komunën e Kamenicës është 101, ku nga ta 65 janë shëruar plotësisht, 31 raste janë aktive dhe 5 persona kanë humbur jetën.
Mbani distancë, përdorni maska dhe pastroni duart shpesh.
Ruajeni vetën dhe të tjerët! /2LONLINE.com/