Sot është mbajtur ceremonia e ndarjes së Grantit të Performancës Komunale, ku janë ndarë shpërblimet për komunat për performancën e tyre gjatë vitit 2019.
Komuna e Kamenicës falë performancës së saj, për herë të parë ka fituar grant në vlerë prej mbi 157 mijë euro.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se shumën e fituar nga performanca e mirë komunale do ta dedikojmë për investim kapital.
“Performanca e mirë komunale, na e mundësoi fitimin e grantit në vlerë prej mbi 157 mijë eurosh, të cilin do ta dedikojmë për investim kapital. Projekti “Shpërndarja e ujit për fshatrat Hogosht dhe Lisockë”, ku do ta dedikojmë këtë shumë, ka vlerën prej 250 mijë eurosh, ku pjesën tjetër prej rreth 93 mijë eurosh, do ta mbulojmë nga buxheti komunal. Falënderoj zyrtarët për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm!”, tha Kastrati.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe kryetarë të tjerë të komunave fituese.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme për të shënuar progresin e komunave.
“Ndarja e grantit të performancës komunale, përveç se shpërblim, është edhe mjet për njohjen e meritave të komunave”, tha ai.
Edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se ky grant do të vazhdojë të jetë prioritet i ministrisë.
“Ky grant shton vlerën e administratës shtetërore për shpërndarjen meritore të financimit, ky grant është vlerësuar nga institucionet më kredibile ndërkombëtare, siç është Bashkimi Evropian, prandaj do të vazhdojë të jetë prioritet strategjik i ministrisë”, tha Krasniqi.
Vlen të theksohet se Komuna e Kamenicës në fillim ka fituar grantin me vlerë prej rreth 286 mijë, por për shkak të pandemisë ky grant është zvogëluar. /2LONLINE.com/