Kushtrim Kadriu nga Nisma Socialdemokrate, koalicionin e lidhur në Gjilan mes LDK-së, si parti fituese, me AAK-në, AKR-në, KDTP-në dhe Listën Serbe, e konsideron si të paqëndrueshëm (nga 35 anëtar të Kuvendit, pozita i ka 18 e opozita 17) dhe që mbështetet në shumicën e thjesht.
Me këtë rast, Kadriu mendon se do të jetë e vështirë të qeverisët dhe të kalohen çështje të ndryshme në Kuvend, kur diferencën e bënë një votë, e cila në këtë rast, e faktorizon Listën Serbe që përfaqësohet në Kuvend me një anëtar.
“Këtë e them edhe duke u bazuar në atë se në mandatin e kaluar përfaqësuesi i komunitetit serb, ka qenë “problematikë”, në kontekst të njohjes apo jo të institucioneve vendore, pasi ka qenë pjesë e strukturave paralele, sa që, e dinë të gjithë, është dashtë të përjashtohet disa herë nga seanca, falë këmbëngulësisë së opozitës”, ka thënë Kadriu, për të shtuar se, është e palogjikshme që tani institucionet, përkatesësht Kuvendi, të varet nga vota e tij, për ta bërë shumicën.
Përndryshe, emërimin e drejtorëve të Bordit të ri, bërë sot nga kreu i Komunës Lutfi Haziri, ndonëse të vonuar, Kadriu e konsideron çështje të pozitës, por që, sipas tij. Nisma Socialdemokrate e Gjilanit, si subjekt opozitar do të jetë kujdestare e përhershme dhe adresë ku qytetari mund të drejtohet për çfarëdo kërkese që ka, nevojë apo padrejtësi që i bëhet, që ajo t’i bartë me zërin e saj në Kuvend, ku Nisma ka katër këshilltarë.