Ka ndërruar jetë në moshën 44 vjeçare, profesori Arben Dërmaku.
Lajmin e ka bërë të ditur, dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Gjilanit, Xhevat Sopi.
“Njoftohen, shokët, miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët se sot, në moshën 44 vjeçare, Prof.Asoc.Dr. Arben Dërmaku humbi betejën me COVID-19. I ndjeri ishte profesor i rregullt në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si dhe Rektori themelues i Universitetit ‘Kadri Zeka’ në Gjilan, të cilin e drejtoi për dy vjet”.
“Ai krijoi bagazh të gjerë të punës kërkimore shkencore me një numër të konsiderueshëm të artikujve shkencor të botuar në revista ndërkombëtare si dhe disa libra universitare. Prof.Asoc.Dr. Arben Dërmaku, la pas vetes gruan dhe djalin. Prehu në paqe shoku im i shtrenjtë”, thuhet në njoftimin e bërë nga dekani Sopi.
Letër ngushëllimi për Prof. Ass. Dr. Arben Dërmaku
Me dhembje te madhe morëm lajmin për vdekjen e hershme të profesorit Arben Dërmakut.
Shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së tij, kolegëve të punës në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Gjilanit, miqve, dashamirëve dhe komunitetit të ekonomistëve të Kosovës.
Arben Dërmaku ka qenë një prej ekonomistëve më të mirë të Kosovës, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Është autor i disa librave nga fusha e ekonomisë, shumë punimeve shkencore dhe pjesëmarrës i shumë konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Një kontribut të veçantë e ka dhënë dhe në fushën e edukimit: ka mentoruar dy kandidatë në doktoratë dhe mbi pesëdhjetë kandidatë në tema masteri.
Kontribut të madh ka dhënë në themelimin dhe në ngritjen e universitetit publik në Gjilan: ka qenë kryetar i Këshillit për Themelimin e Universitetit Publik në Gjilan në vitin 2013, ushtrues detyre i Rektorit deri në vitin 2014 dhe anëtar i Këshillit Drejtues të këtij universiteti deri në vitin 2017.
Ai ka qenë edhe nxitës i reformimit dhe modernizimit të arsimit të lartë në Kosovë dhe ka dhënë kontribut të çmuar në këtë drejtim.
Vdekja e hershme e ndau nga mesi ynë, por kontributi dhe rezultati i punës së tij do të vazhdojë te zhvillohet me ne.
Me respekt,
Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi
Rektori i UKZ-së