Aksioni për shlyerjen e numrave në Sllatinë të Epërme, (numrat që kishte vendosur pushteti serb në dyert e oborreve të fshatarëve, edhe në fshatra tjerë), vazhdoi gjatë natës, nga ora 24:00 deri në ora 3:30, në ilegalitet, në të njëjtën kohë aksioni vazhdoi në Smirë dhe në Sllatinën e Poshtme.
Shkruan: Sami ARIFI
Menjëherë pas formimit të “Këshillit Koordinues të Qendrës së LDK-së në Prishtinë”, edhe në fshatin Sllatinë të Epërme ishte krijuar një atmosferë elektrizuese, sa e frikës, aq më tepër edhe e entuziazmit dhe guximit për të ndërruar gjendjen që mbretëronte në tërë Kosovën, në komuna, por edhe në fshatra, gjendje në të cilën pësonin shqiptarët me keqtrajtime, burgosje, vrasje nga më të ndryshmet, nga pushteti i atëhershëm serb.
Në Sllatinë të Epërme filluan aktivitetet duke minuar institucionet e Serbisë, e cila e kishte instaluar më parë edhe nëpër fshatra “Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës të Jugosllavisë” e duke e kthyer atë, por jo vetëm atë, por tërë masën popullore në “Lidhjen Demokratike të Kosovës”. Kjo ndodhi në ditët shumë të hershme në fshatin Sllatinë e Epërme, por edhe në tërë “Bashkësinë Lokale të Sllatinës së Epërme”.
Pas disa konsultimeve që kishin bërë fshatarët në mes veti, një grup nga ata kishin ardhur te shtëpia ime, me qëllim që unë të marr obligim për udhëheqjen e “Këshillit Koordinues” në fshat. Ata kishin ardhur te shtëpia ime, nga se në atë kohë, për disa javë, unë isha në gjendje jo të mirë shëndetësore. Unë i pyeta se, a s’dëshiron dikush tjetër ta marr këtë obligim?, meqë kishte mjaft njerëz të nivelit tim e ndoshta edhe më të lartë. Ata më thanë që kemi bërë dy kërkesa, por që s’ishin në gjendje ta marrin këtë obligim. Unë këtë obligim e mora me kënaqësi, dhe së shpejti formuam “Këshillin Koordinues” dhe nga kuvendi i fshatit u caktua Sami ARIFI kryetar i këtij Këshilli.
Anëtarë të Këshillit u caktuan: Hilmi Azemi, Halil Imeri, Ibrahim Jakupi, Ekrem Ismajli, Sylejman Qosa dhe Afrim Imeri. Pas disa javësh nga “Kryesia e Këshillit Koordinues”, duke parë nevojën për një aktivitet më të ngjeshur, u morën në kryesi të Këshillit edhe Daut Azemi dhe Fahrush Rexhepi.
Pas një kohe jo shumë të gjatë, Kuvendi i fshatit në Sllatinë të Epërme mori vendim që të zgjedhet kryesia e LDK-së në fshat, me ç’rast Kuvendi zgjodhi kryetar Sami ARIFIN, ndërsa anëtarë të kryesisë i zgjodhi këta persona: Daut Azemi, Fahrush Rexhepi, Halil Imeri, Vahedin Azemi, Ibrahim Jakupi, Ekrem Ismajli, Sylejma Qosa, Sylejman Ajvazi, Afrim Imeri dhe Isuf Abazi.
Në koordinim me Rrahman Halilin i cili përfaqësonte Smirën në aktivitet, që ishte profesional në fushën e mbrojtjes, ai me ekipin e tij, në fshatin e tij, e mori përsipër t’i fshinte numrat e okupatorit serb që ishin vendosur në dyert e oborreve të shqiptarëve në fshatin e Smirës, ndërsa ne gjithashtu në Sllatinë të Epërme me përfunduar këtë aksion, natën në të njëjtën kohë. Ky aksion vazhdoi në ilegalitet gjatë natës, në të njëjtën kohë në Smirë, Sllatinë të Epërme dhe në Sllatinë të Poshtme.
Në Sllatinë të Epërme këtë aksion e kryen: Nazim Azemi, Sami Arifi dhe Daut Azemi: shlyerja e numrave u bë nga ora 24:00 deri kah ora 3:30 të mesnatës. Nazim Azemi dhe Sami Arifi ishin në gjendje gatishmërie, ndërsa Daut Azemi kishte kovën të mbushur plot me ule të djegur dhe me një lloj shpuzore kryente aksionin në shlyerjen e numrave, numra të cilët i kishte vendosur okupatori serb nëpër dyer të oborreve. U dashtë me një shpejtësi të madhe dhe me një efikasitet të kryhet kjo punë, meqë ishin më se 450 numra, aq sa shtëpi afërsisht numëronte fshati. Pra, ashtu si ishte planifikuar, pa u vërejtur nga askush, ishte kryer aksioni me sukses.
Kuvendi i fshatit nga Sllatina e Poshtme, me vota të fshehura, në “Këshillin Koordinues”, për kryetar zgjodhi Xhelal HOXHËN, ndërsa anëtarë të kryesisë së zgjedhur me vota të fshehura ishin: Fehmi Mjaku, Remzi Lubishtani, Gani Neziri, Isuf Hoxha, Qazim Frangu dhe Beqir Frangu. Pas një kohe jo të gjatë, Kuvendi i fshatit zgjodhi kryesinë e parë të fshatit me vota të fshehura dhe kryetar Fahrush MJAKUN, ndërsa anëtarë të kryesisë ishin: Muhabi Neziri, Hysen Demelezi, Tahir Lubishtani, Sami Demelezi, Selim Frangu dhe Zaim Lubishtani. Për të dy Sllatinat, në këtë shkrim nuk janë përfshirë emrat e të deleguarve në “Kuvendin e Degës së Parë të LDK-së” në Viti, që sigurisht do të ndriçohen në një shkrim të radhës.
Sllatina e Poshtme, aksionin për shlyerjen e numrave (të cilët i kishte vendosur pushtuesi serb në dyert e fshatarëve), e kryen gjatë natës në ilegalitet, të organizuar së bashku në dy grupe: Në njërin grup për fshirjen e numrave të pushtetit serb ishin këta veprimtarë: Selami Neziri, Qazim Frangu, Xhelal Hoxha dhe Tahir Lubishtani, ndërsa grupi tjetër ishte i përbërë nga veprimtarët: Ismet Mjaku, Remzi Hoxha, Besim Frangu dhe Bekim Hoxha. Aksioni ishte kryer me sukses, sipas planit të paraparë.
Lexo edhe: Një ndriçim i shkurtër rreth formimit të Degës së LDK-së në Komunën e Vitisë
VËREJTE : I kisha lutur lexuesit që këto rrëfime mos t’i marrin si tregim për lëvdatë, nga se këtë po e rrëfej për hir të së vërtetës, meqë kohëve të fundit, shpeshherë po shtrembërohen ngjarjet historike pa asnjë bazë, dhe kështu po krijohet konfuzion ndaj të vërtetës në opinion.
Aksione të natyrës së tillë pati mjaft shumë, të organizuara nga kryesitë e LDK-së nëpër fshatra, po edhe jashtë kryesive, me njerëz të dëshmuar në veprimtari të çështjes kombëtare, si; bie fjala, vendosja e gurëve pranë dyerve të oborrit, në qoshe të rrugëve për të ngadalësuar aksionet e pushtetit serb, në rast nevoje gurët hidheshin në rrugë për t’u bllokuar policisë serbe rrugën, e të tjera.
Për t’u koordinuar punët më mirë nëpër fshatra, “Bashkësia Lokale e Sllatinës së Epërme” e pa të nevojshme dhe të domosdoshme të zgjedhë një koordinator për këto fshatra që përfshiheshin në këtë Bashkësi, e që ishin: Sllatina e Epërme, Sllatina e Poshtme Tërsteniku dhe Sodovina e Çerkezëve. Me votat e fshehura të kryesive nga katër fshatrat, u zgjedh Gani Neziri nga Sllatina e Poshtme për t’i koordinuar punët në veprim, ai ishte një personalitet me mjaft kapital, i brumosur në çështjen kombëtare.
Në përbërje të Sllatinave, në kuadër të LDK-së, ishte formuar “Shoqata Humanitare”, nga më të parat në korrik të vitit 1990, e cila kishte për qëllim grumbullimin dhe shpërndarjen e artikujve ushqimor, medikamenteve medicionale si dhe mjeteve të tjera financiare. Shoqata kishte udhëheqjen me kryetar Vesel Frangun, sekretar Tahir Lubishtanin dhe arkëtar Xhelal Hoxhën, kjo Shoqatë dha një kontribut të pakontestuar në tërë Kosovën.
Në Bashkësinë Lokale të Sllatinës së Epërme u zhvilluan edhe shumë aktivitete tjera legale dhe ilegale, të nismave, në mes të cilave edhe ajo e themelimit të “Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Kosova”, mbledhjen e udhëhoqi Sami Arifi, e cila u mbajt në shkollën fillore, atëherë e quajtur “Liria”, ku kryetar u zgjodh Adem Murati nga Tërpeza, ndërsa sekretar i Shoqatës u zgjodh Hilmi Azemi nga Sllatina e Epërme.
Pati edhe shumë nisma të tjera të cilat do t’i nxjerrë në dritë në shkrimet tjera. Këto janë disa ndriçime të shkurtra pa përfshirë resor të tjerë të veprimeve të ndryshme, as atë të Forumit Rinor të LDK-së, as ngjarjet e mëdha që kulmuan me luftën heroike të popullit shqiptar në Kosovë e që kishte mjaft shumë pjesëmarrës nga “Bashkësia Lokale e Sllatinës së Epërme” ku pati të rënë për liri si dhe epror dhe ushtarë të UÇK-së…