Etleva DURMISHI
JO ÇDO SHPËRFAQJE E PARË ËSHTË LINDJE
( Cikël poetik )
TI POETIN MOS E PYET…
Universi zgjerohet për një frymë,
Nga një varg që është çast krijimi
dhe qenia drithërohet
nga kuptimi i parë i rëndësisë së saj,
sepse çdo kuptim i vërtetë dhe absolut,
shfaqet vetëm një herë,
dhe i takon vetëm vargut.
Prandaj ti poetin mos e pyet
se çfarë deshi të thotë,
kur atë e kanë shumë të qartë
gjeneratat që do të vijnë.
Ti poetin mos e pyet,
Sepse ai s’mund të të flasë
Me të njëjtën vetëdije që e vrau atë
Dhe u strehua në poezi…
Ndiej,
Ndiej,
Dhe zbrit në thellësi, por mos pyet
Sepse koha është betuar në një Orfe të vetëm
Ti poetin mos e pyet,
Vetëm prano shtegun që ai ka hapur
Drejt lindjes së poezisë sate…
ARTI ABSTRAKT
Arti abstrakt është ngutia e të ngurtësuarit të ndjenjës,
e kushtëzuar nga kjo e fundit
që të ruajë fshehtësinë rrëmbyese.
Është ndjenjë që do të përfaqësohet nga format
sepse forma përcakton ndjenjën
Është ndjenjë që do të godasë me shumëngjyrshmëri
sepse ndjenja është nuancë.
“LINDJA E NJË MENDIMI”
I tillë është njeriu…
Një qenie që frymon me lindjen e çdo mendimi,
Një lindje nga koka,
Si nga ajo e Zeusit,
Që solli në jetë perëndeshë Athinën,
Të pangjizur nga një nënë…
Ritmi i rrahjes së zemrës së njeriut
Është një lindje mendimi,
Ndërkohë që mendimi vetë,
Dhe në kundërshtim me gjithçka tjetër,
Është vetëm një lajmëtar
i fenomenit tashmë të vdekur
Por që ringjall shpresën
në jetën e një mendimi të radhës.
Jo çdo shpërfaqje e parë është lindje,
Dhe një shpërfaqje e parë mendimi
Është vetëm faza finale
e një rrugëtimi të gjatë
të realizuar përtej nesh
Mendimi,
Është kulmorja emocionale
që e ka bindur trupin,
Është etja për identitet
të përthithur nga fjala!
VJESHTA, EMËRTIM I PADENJË STINE ?
Vjeshtë,
Kjo orë kur natyra
Dehet në pleqërinë e vitit
Në përpëlitje të vetvetes
Por… të jetë stinë?
Është aq paqëndrueshme
në shtrirje, aq e paqartë…
Më saktë,
Është një betejë përplasjesh
mes verës që kaloi
dhe dimrit që përfton…
Një periudhë kalimtare
që godet në vazhdimësi,
Një betejë që përkthehet në pritje
Pritje,
në një pikë ku
stina në zmbrapsje nuk dorëzohet
dhe piqet besimi
se një ardhje e papritur e acarit
është shumë afër, por s’po duket…
DIMËR NË PRISHTINË
Dimri vjen për ta nderuar kohën e vet
apo ndoshta koha mirëpret saktësinë dimërore?
Por bora,
këtu,
vjen për të dëshmuar madhërishëm
mosbindjen e saj,
Ajo vjen ta shfaqë guximin
për ta shpërfillur kohën e saj në këtë stinë…
E sikur të mos mjaftohej,
vjen edhe si një madhështi
që pëlqen ta thyeje rregullin,
të mashtrojë me bukurinë e rënies së parë
e më pas,
të na godasë në llohë e ashpërsi të bardhë
duke refuzuar të qëndrojë mbi çatitë
e mbi gjithçka tjetër që i premton mbështetje,
e që nuk kupton mosbesinë e saj.
Ajo refuzon të shpenzojë mbi ne magjinë e saj,
si protestë ndaj rrëmujës urbane
dhe ngufatjes me të cilën ky qytet
i përgjigjet!
LAHUTA
Dëgjo,
Dëgjo si bie lahuta,
e si e përcjell frymëmarrjen e tokës,
kujtesën e lëkurës së regjur
që ka akumuluar një forcë jete
dhe ka përthithur fuqinë shumëshekullore
të emocionit
e sot na kthen prapë
për të dëshmuar njëjtësinë me natyrën
dhe madhështinë e eposit
që tejkaloi njerëzoren dhe përfshiu gjithçka.
Ajo kasë druri në trajtë vezake
Është anima jonë,
Jeta, përjetësia, krijimi dhe rilindja,
Që jep e merr tingullin mes skajesh,
Dhe e përcjell tek animusi, tek ajo kokë gjarpri,
Dhie apo shqiponje
që sundon kohën, fatin, mjeshtërinë dhe…
Epikën e pamposhtur,
Të krijuar dhe zhvilluar këtu,
për t’i arritur lartësitë e lavdisë,
Duke e lënë dhe harkun
që ta përcjellë frekuencën
E idealit dhe kuptimit të rrënjëve tona.
Tejngopja e natyrës me kujtime të shpirtit njerëzor,
Kulmon në tingullin e pastër
të thatësisë së drurit
Që e pranon vetëm lartësinë e ndjenjës,
Dhe ciklin e përmbushur,
Sepse e tillë është ajo,
E mbarsur me tinguj që vijnë nga thellësitë…
GJUHË
Njeriu flet që gjuha ta pranojë
para se thellësia të ketë dhënë kumbimin e saj
Njeriu flet që të jetë i kuptueshëm
për të gjithë,
dhe kështu dobësohet fjala.
Zë
Zgjatim i vetes në shumësi akordesh
apo
një frekuencë e brendshme
që do të lirohet
e realizohet në tërësi
mendimesh, emocionesh, fije rrëfimesh
që këputen e rikrijohen
përreth qarkut të një
emocioni që do të bëjë
rrugë më të zgjatur,
e pasi të jetë ngopur në eter,
të kthehet në brendësinë
e një eksplorimi të ri.