Në konferencën për media që ka mbajtur sot kryeshefi ekzekutiv i NPL “Tregu” në Gjilan, Avdyl Jerliu, ka raportuar për punën që është duke u bërë në këtë ndërmarrje dhe investimet që e presin gjatë të ardhmes përmes donacioneve të siguruara nga kryetari Haziri në kuadër të projektit të bashkëpunimit ndërkufitar me financim të Komisionit Evropian.
Jerliu ka thënë se padrejtësisht është mbajtur tregu i menaxhuar nga “Eco-higjiena”, deri në themelimin e ndërmarrjes në vitin e kaluar, duke mos investuar asgjë gjatë gjithë asaj periudhe.
“Tregu i gjelbërt fatkeqësisht nuk ka patur asnjë investim prej se është menaxhuar nga Eco Higjiena. Në fazën prej vitit 2012 e deri në vitin 2017 nuk ka asnjë investim në tregun e gjelbër. Tani ka një infrastruktur që lenë për të dëshiruar. Momentalisht tregu ka rreth 250 klientë ku shumica prej tyre punojnë për çdo ditë në treg.
Ai ka bërë të ditur se ndërmarrja ka ofruar shërbime cilësore klientëve të saj me kushtet që posedon tani e që janë të pamjaftueshme për një komunë siç është Komuna e Gjilanit.
“Për këtë periudhë ndërmarrja ka arritur që të konsolidohet pothuajse gati në të gjitha sferat, përveç që ka pasur probleme në sferën e burimeve njerëzore, ku tani presim që së shpejti të konsolidohemi edhe në këtë fushë pasi që rekrutimi i pozitave të munguara është në përfundim e sipër”, tha ai.
Ndërmarrja “Tregu” prej themelimit të saj e gjerë më sot ka arritur që të gjitha obligimet ti kryej në kohë reale ndaj furnitorëve, shërbimeve komunale, Administratës Tatimore si dhe ndaj të gjithë punëtorëve që kanë qenë të angazhuar për këtë periudhë në ndërmarrje.
Ndërmarrja për këtë periudhë ka menaxhuar vetëm me tregun e gjelbërt dhe Mini-tregun te Kisha në rrugë të Prishtinës.
Si menaxhment po punojmë që në muajt në vazhdim ta krijojmë tregun e veturave, tregun e kafshëve, tregun e lëndëve djegëse, drunjëve, tregun e rërës dhe një sërë mini tregjesh nëpër lagje të ndryshme të komunës me qëllim që të krijojmë rend, rregulla dhe mundësi më të mira për të gjithë, si për blerësit ashtu edhe për shitësit dhe prodhuesit e produkteve bujqësore sezonale.
“Komuna e Gjilanit në gjashtëmujorin që lamë pas ka fituar një projekt nga Komisioni Evropian në vazhdën e shumë projekteve të fituara nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare, një nga ta ka qenë mu për tregun e gjelbërt që ka të bëjë me financimin e rreth 100 banaqeve moderne dhe janë të gjitha për prodhimet vendore si për bylmet, për pemë dhe perime”, pohoi Jerliu.
Në vazhdën e këtyre sukseseve Komuna e Gjilanit ka vendosur që të investoj fuqishëm në Tregun e Gjelbërt të Gjilanit, projekti për tregun e gjelbërt është në finanlizim dhe do të hapet pastaj rruga për fillimin e procedurave të mëtutjeshme.
“Këto investime që pritet të bëhen në tregun e gjelbërt kapin vlerën e rreth dy milion eurove dhe ka qëllim që të ofroj shërbime sa më të mira për shitësit dhe për blerësit.
Si menaxhment i Ndërmarrjes, faleminderon Kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri për përkrahje të vazhdueshme të ndërmarrjes tonë.
“Përkrahja e cekur vlenë sidomos me projektin për ndërtimin e tregut të ri e që me realizimin e këtij projekti, Gjilani do të ketë tregun më të bukur dhe më funksional në nivel vendi”, ka përfunduar kryeshefi ekzekutiv Avdyl Jerliu.