Përmes një dekreti, ministri i Brendshëm italian pranoi që këtë vit të hyjnë për të punuar në Itali 30 850 ekstrakomunitarë, me kushtin që të tregohen bashkëpunues me qeverinë italiane lidhur me riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.
“La Repubblica” flet për një lloj “liste të zezë” që Salvini do të përdorë, sipas saj, si formë presioni gjatë turneut të ardhshëm në Afrikë, ku do të kërkojë konkretizimin e disa marrëveshjeve mbi të cilat punon prej muajsh.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini i ka thënë “Po” punësimit të mijëra emigrantëve. Nga 30 850 vende pune, më shumë se gjysma, 18 000, do t’u rezervohen punëtorëve sezonalë, atyre që punojnë kryesisht në ferma gjatë sezonit të korrjeve dhe që të paktën teorikisht do të duhet të largohen nga Italia me mbarimin e kontratës.