Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka thënë se lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, shumë shpejt do të lirohet plotësisht nga autoritetet franceze. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai e ka hedhur poshtë mundësinë që Ramush Haradinaj të ekstradohet në Serbi.
Sipas tij, Haradinaj do të lirohet shumë shpejt dhe do të kthehet në Kosovë për ta vazhduar punën. Lirimi me kusht i Haradinajt ka lënë mundësinë të veprojë drejtësia franceze në bazë të procedurave që i ka, por absolutisht Haradinaj nuk mund të ekstradohet në Serbi.
Isufi është shprehur i pakënaqur me rolin e shtetit të Kosovës karshi rastit Haradinaj. Sipas tij reagimet e institucioneve të Kosovës kanë qenë të zbehta dhe se sipas tij këto tregojnë se kemi një qeveri e cila nuk i ka parasysh të drejtat e qytetarëve, por interesat e veta.
Ai nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që në rastin Haradinaj të ketë gisht edhe politika vendore. Sipas Isufit, Haradinaj u pengon të gjithë atyre që janë kundër interesave të Kosovës si dhe atyre që e duan Kosovën të varur. Isufi u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore t’i ndërpresin bisedimet me Serbinë, e cila, sipas tij, është duke e vazhduar politikën e Millosheviqit.
Për më tepër: Epoka e re