Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i është kundërpërgjigjur Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kritikat drejtuar dikasterit që ai udhëheq.
Ai thënë se viti 2018 ka qenë viti më i mirë që ka pasur sektori shëndetësor në vend. Ministri Ismaili ka thënë se është LDK-ja ajo e cila e ka shkatërruar sektorin e shëndetësisë, të cilin , tash, me shumë mund, po e ndreq ai.
Ky është postimi i plotë:
“LDK-ja, e cila ka shkatërruar sistemin shëndetësor për 10 vjet me radhë dhe e ka varfëruar qytetarin, sot flet për kolaps në këtë sektor. Është e vërtetë se ka një kolaps, por ai është kolapsi i së keqes, të cilin e ka lënë trashëgim kjo parti që mbi shëndetësinë kishte një lloj monopoli politik.
Ndaljes së korrupsionit në blerjen e barnave prej 6 milionë eurosh; rritjes së pagave për profesionistët shëndetësorë; dhe shërbimit 24 orësh për kujdesin e zemrës dhe stentimin, të cilat janë vetëm një pjesë e vitit më të suksesshëm që ka pasur shëndetësia pas luftës, do të duhej t’u gëzohej edhe LDK-ja.
Fakti që janë kryer më shumë punë brenda vetëm një viti sesa gjatë tri mandateve të LDK-së, duhet të jetë pikëlluese për ta, por unë i ftoj të jenë përkrahës e jo pengues të reformave në shëndetësi, prej të cilave përfitojnë qytetarët tanë, pa dallime partiake”, ka shkruar ai.