Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”.
Hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda.
Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor (hetues në Stacionin Policor në Obiliq) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast, thuhet në njoftimin e Divizionit për bashkëpunim dhe informim të Inspektoratit Policor të Kosovës. /2LONLINE/