Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, me rastin e ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të kryetarit të Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq dhe kryesuesi të Kuvendit, Sasha Aleksiq, shpreh ngushllimet më të sinqerta familjeve të këtyre udhëheqësve në nivelin lokal, institucioneve të Republikës së Kosovës, posaqërisht kryeministrit të vendit, Asociacionit të Komunave të Kosovës, Ministrisë së Pushtetit Lolal dhe institucioneve të cilat kanë punuar me këto dy figura publike.
“Lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të kryetarit Mikiq dhe të kryesuesit Aleksiq, e kemi pranuar me dhembje, sepse që të dy këto figura publike, ishin gjithnjë kontributdhënëse në procese të përbashkëta në kuadër të regjionit të lindjes dhe mikroregjionit të 17 Komunave të lindjes”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka thënë poashtu se kryetari Mikiq, ishte bashkëpunëtor i vendosur në bashkëpunimet e nivelit lokal, në prohjekte të përbashkëta dhe gjithnjë interesohej për zhvillimin lokal dhe ndërtimin e Komunës ku qeveriste, por edhe të Komunave të këtij regjioni.
“Kryetari Mikiq, por edhe kryesuesi Aleksiq, ishin kontribues të drejtpërdrejtë në të gjitha takimet e përbashkëta në nivel kryetarësh dhe kryesusish, kudo që ato organizoheshin, qoftë nga niveli qendror i qeverisë së Republikës së Kosovës, qoftë edhe nga Ambasadat e huaja të akredituara në Kosovë dhe nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare, prandaj u shprehë ngushëllime të gjithë atyre që kanë punuar me ta, qytetarëve të Ranillugut dhe familjeve të tyre”, ka përfunduar kryetari Haziri.