Në 9 vjetorin e ndarjes nga Zekeria Cana
Me 10 janar 2018, bëhen plot nëntë vite nga ndarja fizike me profesorin, historianin, publicistin dhe veprimtarin e devotshëm të çështjes kombëtare, Prof. Dr. Zekeria Cana, njeriu i cili asnjëherë nuk u ndal së punuari dhe vepruari për çështjen kombëtare, që studioi dhe hedhi dritë mbi ngjarjet historike të kombit tonë deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Shkruan: Florim Zeqa
Vetëm pak ditë nga shkuarja në amshim e profesorit të nderuar, rastësisht e lexova intervisten e tij të fundit për revistën “Kosovarja”, të numrit festiv të vitit të ri 2009, nga e cila në kujtesën time ka mbetur e skalitur kjo thënje sa kuptimplote po aq edhe profetike e profesorit, po i citoj;
“Në dhimbje të vjen miku, në gëzime të njohurit, kurse në vdekjen tënde edhe armiqt. I vetmi ofendim, të cilin nuk mund ta ndëshkosh është fjalimi para varrit tënd”!
Nga kjo thënje shihet se profesori kishte parandjenjen se vdekjen e ka shumë afër, andaj kjo në një mënyrë tregon testamentin që i kishte lënë familjes, për një ceremoni modeste të varrimit, pa fjalime dhe pa ceremoni fetare. Kjo në fakt e tregon madhështinë, atdhedashurinë dhe modestinë e skajshme të profesorit të nderuar Zekeria Cana.
Prof. Zekeria Cana punoi dhe është ndër themeluesit e parë të Institutit Albanologjik, këtij institucioni të lartë shkencor, të cilit me punën vetëmohuese shkencore, i dha shpirt e zemër, gjak e gjallëri, duke e afirmuar këtë institucion në rrafshin e historisë tonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare.
Në kohën e pushtimit klasik të Kosovës nga Serbia, në fillim të viteve të ’90-ta, profesori e la akedaminë, e la penën e shkencën të pushojë për një kohë të pacaktuar, për t’u vënë në shërbim të çështjes madhore të lirisë së vendit, duke u ri-rreshtuar në mesin e veprimtarëve dhe aktivistëve të çështjës kombëtare.
Kështu profesori dhe doktori i shkencave, me tërë qënien e vet shpirtërore, mendore dhe fizike iu rrekë veprimtarisë patriotike, si një atdhetarë i rrallë dhe i guximshëm hyri në shpirtin e zemrën e popullit duke u bërë simbol i mbrojtjes së vegjëlisë, sinonim i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave kombëtare në veqanti.
Krahas angazhimit politik në alternativen kosovare, kontributi më i çmuar i profesorit Zekeria Cana ishte në pajtimeve të gjaqeve, duke u bërë krahë i fuqishëm i profesorit të nderuar Anton Çeta dhe shumë pajtimtarëve anë e kënd Kosovës në pajtimin e familjeve të hasmëruara dhe unifikimin e popullatës për rezistencë kundër pushtuesve serbomëdhenjë.
Me një fjalë kontributi i Zekiria Canës në pajtimin e gjaqeve ishte shumëdimensional. Ishte guximi dhe vendosmëria, qëndrueshmëria dhe besnikëria, morali i pastër dhe rezistenca e fuqishme përballë dhunës dhe kërcënimeve të policisë serbe që e bëjnë të veqant prej të tjerëve.
Si rezultat i përballjeve të shpeshta me forcat policore serbe gjate aksionit të pajtimit të gjaqeve, profesor Cana në mesin e popullatës ishte bërë sinonim heroizmi e qëndrese heroike, guximi e trimërie të rrallë.
Nga dashuria dhe admirimi, profesor Zekeria Canën, populli ndryshe e quanin edhe si “Luani i Pajtimit të Gjaqeve”.
Nuk ka ngjarje apo aktivitete përgjatë viteve të ’90-ta ku nuk ka qënë me prezencën e tij fizike Zekeria Cana, qoft në tubime apo demonstrata kundër pushtuesve serb, duke e kundërshtuar dhe demaskuar me të gjitha mjetet dhunën dhe terrorin shtetëror të Serbisë hegjemoniste, duke u bërë simbol rezistence paqësore dhe qëndrese burrërore të shqiptarëve të robëruar në Ballkanin jugpërendimorë.
Zekeria Cana, ishte ndër të parët që ngriti zërin, me vendosmëri e guxim kundër vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në ish Armatën Jugosllave, duke i hequr të gjitha maskat e terrorit ushtarak serbosllav ndaj shqiptarëve, duke i dhënë kurajo popullit për për një rezistencë akoma më të fuqishme në tubimet e mëdha mortore që shprehnin revoltën dhe urrejtjen kundër okupatorit shekullor serbosllav.
Pothuajse të gjithë të rinjët shqiptarë të vrarë në ish Armatën Jugosllave i varrosi me dorën e tij në tokën dardane gjithandej Kosovës martire.
Zekeria Cana nuk u ndal së vepruari as në përiudhën e lavdishme të luftës çlirimtare, duke vizituar luftëtarët e lirisë nëpër vijat e frontit, në çdo cep e në çdo kend të atdheut, ku përveq mbështetjes morale i ndihmoi edhe materialisht luftëtarët nëpërmjet donatorëve patriot dhe humanist nga të gjitha trojet e atdheut dhe mërgata jonë.
Zekeria Cana në momentet më të vështira u gjet pranë familjes Jashari në Prekaz. Ai me dorën e tij varrosi Adem Jasharin bashk me familjarët e tij dhe gjithë shqiptarët e vrarë në atë masakër makabër, të një sakrifice sublime të panjohur deri atë kohë nga historia e popujve të kësaj pjese të globit tokësorë.
Prof.dr. Cana qëndroi besnik dhe ndau fatin me popullatën e pambrojtur shqiptare edhe përgjatë bombardimit të NATO-s kundër pozicioneve ushtarako-policore e paramilitare të Serbisë në Kosovë.
Edhe përkundër pasigurisë dhe rreziqeve të shumta, çlirimin e Kosovës e priti në shtëpinë e vet në Prishtinë. Pas çlirimit kontribuoi në konsolidimin e shtetit të Kosovës, por asnjëherë nuk synoi poste as privilegje, duke bërë gjithnjë atë që mundi për popullin dhe atdheun e vet.
U largua nga kjo botë, ashtu siq largohen njerëzit e mëdhenjë me vyrtyte të larta njerëzore dhe patriotike. Veprimtaria e tij madhore na bënë të ndjehemi krenar që e kishim një burrë të madh dhe besnik të kombit tonë, veprimtar të çështjes kombëtare dhe historiografisë tonë kombëtare.
Emri i Prof. Dr.Zekeria Canës, do të mbetët emër i pashlyer në kujtesën historike të popullit tonë, si emër i historiografisë, emër i njohur i publicistikës shqiptare, emër i njohur i ecjes tonë kombëtare, emër i shumë brezave që mësuan dhe u frymëzuan nga ai. Me një fjalë Zekeria Cana do të mbetët emër i bekuar gjithkund, kahdo e kudo ndër shqiptarë, ku bukës i thonë bukë e ujit ujë.
Në fund të këtij shkrimi, me modesti dëshiroj të potencoj një fakt për lexuesit. Ndjehem krenar që kam jetuar dhe vepruar në epokën më të lavdishme kombëtare, njëherit ndjehem me fat dhe tepër i privilegjuar që kam pasur rastin ta takoj nga afër dy herë në jetën time Prof.Dr. Zekeria Canën.
Takimi i parë ishte në tubimin e madh të Pajtimit të Gjaqeve të “Verrat e Llukës” me 1 Maj 1990, ku nga afër e pash me sytë e mi guximin dhe heroizmin e një atdhetari,…i cili me trupin e tij ndaloj Autoblindin e policisë serbe i cili ishte i gatshëm të provokoj dhunë dhe gjakderdhje shqiptare.
Ndërsa hera e dytë, ishte pikërisht në fashtin tim të lindjes në Bokshiq, komuna e Klinës, me rastin e zgjedhjeve të para të lira pluraliste për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 24 maj 1992, më ç’rast zgjidhet edhe Kryetari i parë i Republikës së Kosovës ( Ibrahim Rugova ) me mandatin e Kushtetutës së Kaçanikut, ku profesor Cana kishte ardhur të vëzhgoi nga afër zgjedhjet e lira dhe demokratike në rrethanat e okupimit klasik të Serbisë.
Prof. Dr. Zekeria Cana ka ndërruar jetë në moshen 75 vjeqare me 10 Janar 2009, duke lënë gjurmë të pashlyera në jetën shkencore, historiografike, publicistike dhe politikës kombëtare.
Edhe pse kaluan plotë nëntë vjet nga shkuarja e tij në amshim, paradoksalisht Zekeria Cana ka mbetur një nga figurat më të anashkaluara nga harresa institucionale, mediatike dhe shoqërore e popullit tonë!.
Duke qënë i bindur se, në një shkrim autorial nuk mund të thuhen gjitha ato që meritojnë të thuhen për një figurë madhore të historisë kombëtare, qëllimi ishte, që me vogëlsinë time të hedhë pakëz dritë rreth një pjese të veprimtarisë atdhetare të Prof.Dr. Zekeria Canës, e për më tepër se kaq, t’u sjellë në kujtesë gjeneratave të reja harresën institucionale ndaj figurave më markante të kombit tonë.
Prof.Dr. Zekeria Cana ishte dhe do të mbetët një nga historianët më të çmuar të Kosoves dhe mbarë trojeve etnike, shëmbull i akademikut dhe intelektualit të guximshëm, veprimtar i paepur i çeshtjes kombëtare dhe personalitet i papërseritshëm në historinë e lavdishme shqiptare.
Lavdi jetës dhe veprës sa madhore, po aq dinjitoze të Zekeria Canës!