Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkodër, është pritur nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi me bashkëpunëtorë. Vizitën e tij zyrtare, kryeministri Haradinaj i shoqëruar edhe nga kryetarja Ademi, e ka nisur me homazhe te shtatorja e Heroit Kombëtar, Isa Boletini.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se ndjehet i emocionuar që po e viziton qytetin e Shkodrës, të cilin e quajti adresë të gjithë shqiptarëve.
“Jam vërtetë i prekur dhe i emocionuar të jem në Shkodër, në adresën e kombit, në adresën e shqiptarisë, në vendin i cili na ka bërë krenarë dhe na ka bërë të mburremi ndër shekuj për atë që jemi, pra që jemi shqiptarë”, tha kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar kryetaren Voltana Ademi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë për pritjen, dhe shtoi se ndjehet i vlerësuar me shpalljen “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Shkodrës në vitin 2017.
Ndërkaq, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, i ka uruar mirëseardhje dhe e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj, që ka zgjedhur për të vizituar qytetin e tyre, Shkodrën.
“Unë ju falënderoj për vizitën dhe shpresoj se do të kemi mundësinë që të marrim disa iniciativa edhe në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe të disa ngjarjeve kombëtare për Shqipërinë dhe Kosovën”, tha kryetarja Ademi, duke e cilësuar vizitën e kryeministrit Haradinaj historike për qytetin e Shkodrës.
Më pas, kryeministri Haradinaj është pritur në Bashkinë e Shkodrës nga kryetarja, Voltana Ademi me bashkëpunëtorë, me të cilën ka biseduar rreth bashkëpunimit institucional të nivelit qendror dhe atij lokal ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndër temat që janë biseduar gjatë këtij takimi kanë qenë zhvillimi i turizmit, si dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë. Po ashtu është biseduar edhe për bashkëpunimin në fushën e kulturës, si dhe fusha tjera të interesit reciprok.
Gjatë këtij takimi është propozuar edhe renovimi i shtëpisë muze të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, për të cilën u tha se vlerat e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve historike, do ta kenë vëmendjen e institucioneve të të dyja vendeve.
Më tej, Kryeministri Haradinaj ka vizituar edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë, “Marubi”, ku nga drejtori i këtij institucioni, Luçjan Bedeni, është njoftuar për vlerat e koleksionit fotografik përmes të cilit janë dokumentuar momente të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore, sportive dhe politike përgjatë historisë.
“Jam i kënaqur që jam në Shkodër, një vend i mirë, i njerëzve të mirë dhe vlerë e mirë e shqiptarëve. Dikur, pika jonë lidhëse me civilizimin, pra me këtë ndjenjë po largohem nga Shkodra”, tha kryeministri Haradinaj, në fund të vizitës së tij.