Gjilani nis fushatën “Respekto familjen për t’u respektuar”

Gjilani nis fushatën “Respekto familjen për t’u respektuar”

Organizuar nga Policia e Kosovës, OSBE dhe Komuna e Gjilanit, sot në qendër të qytetit ka nisur fushata “Respekto familjen për t’u respektuar”, në kuadër të parandalimit të dhunës në familje dhe mbrojtjen e shoqërisë në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fjalën e tij ka falënderuar për punën që është bërë në këtë drejtim, me theks të veçantë ka thënë se ndjehet krenar për Mekanizmin Komunal Kundër Dhunës në Familje, i cili në përbërje ka anëtarë nga të gjitha institucionet dhe që bëjnë punë të madhe në uljen dhe vetëdijesimin kundër dhunës.

“Mekanizmi Kundër Dhunës në Familje, po jep rezultatet e veta që kanë ndikuar në parandalim të çdo forme të dhunës në familje. Ne nuk jemi të kënaqur derisa nuk e kemi nivelin zero të dhunës në familje. Do të jemi pjesë e përkrahjes së kësaj fushate që të parandalohet çdo lloj dhune në familje, në mënyrë që të jemi një shoqëri e barabartë. Familja është qeliza dhe shtylla e cila mbanë shtetin, kurse gruaja është shtylla kryesore e familjes”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Elmina Mahmuti, drejtoreshë e Policisë Regjionale në Gjilan, ka thënë se dhuna në familje nuk është problem vetëm i Kosovës, por është problem global me të cilin preken të gjitha shtetet.

“Jemi të gjithë së bashku në fushatën për parandalimin e dhunës në familje dhe të gjitha institucionet po punojmë për një familje të shëndoshë. Dhuna në familje nuk është vetëm problem i Kosovës apo i një qyteti, por është problem global. Sot, në veçanti, kërkojmë nga burrat dhe gratë që ta përkrahin këtë fushatë dhe eksperiencën tuaj sot ta përcjellim në familjet tuaja dhe në shoqëri. Bisedoni në shoqëri, në shkollë, në universitet dhe lajmëroni dhunën sepse nuk prek vetëm dy veta në familje, por e prek në mënyrë zingjirore tërë shoqërinë”, ka thënë komandantja Mahmuti.

Shpresa Molliqaj, përfaqësuese e OSBE-së, e ka falënderuar kryetarin e Komunës dhe Policinë e Kosovës, për mbështetjen e kësaj fushate që ka qëllim kryesor vetëdijesimin e qytetarëve kundër dhunës në familje.

KOMENTE