Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së Rahim Beqirit-komandant ‘Roki’, sot ka bërë homazhe te lapidari i tij, në fshatin Kopërnicë të Komunës së Kamenicës.
Kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se si çdo popull që i ka qëllimet dhe interesat e veta, e të cilave duhet t’i shërbejmë, edhe shqiptarët i kanë, por interesat e shqiptarëve nuk janë interesa armike për popujt tjerë, por janë të drejta për ne si popull.
”Duke i shërbyer interesit tonë nuk dëmtojmë dhe nuk shkaktojmë pasoja te të tjerët. Nëse e forcojmë Kosovën shtet 100 për qind, me ushtri, me gjithë mekanizmat e vet, kjo është në dobi të të gjithë neve që jetojmë në Kosovë edhe të komuniteteve etnike, të serbëve të Kosovës. Nëse e forcojmë Kosovën në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, kjo është mirë për Ballkanin, sepse një nga ne është i fortë. Nëse Kosova forcohet është mirë për shqiptarët kudo që janë, në Preshevë, në Maqedoninë e Veriut, apo kudo që jemi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se që të forcohemi duhet të besojmë më shumë në vetvete dhe duhet të kërkojmë llogari nga vetja.
Para të pranishmëve, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se duke i përfunduar punët tona, ashtu siç i kanë përfunduar heronjtë tanë, të cilët kanë dhënë gjithçka nga vetja deri në flijim, sikur komandant Roki, është detyrë jona të jemi në kohë, të kërkojmë llogari dhe të besojmë në vetvete.
“Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, ju siguroj se do të sigurojmë të drejtat tona si komb shqiptar, do t’i garantojmë ata që jetojnë me ne dhe do të jemi miq për miqtë. Një popull që është i dobët në ekonomi, në siguri, në arsim, nuk mund të jetë mik i askujt, por vetëm barrë e të tjerëve”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke thënë se është i nderuar që tradicionalisht bashkohet në vendin ku nderohet vepra e komandant Rokit.
Nga një fjalë para të pranishmëve e mbajtën edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkëluftëtari nga Tetova, Fexhri Hasipi dhe djali i komandant Rokit, Vedat Beqiri.
Kryeministri në detyrë, Haradinaj, gjatë ditës ka bërë homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve në Kamenicë.