Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryesuar nga Shefja e Misionit për Kosovë, Stephanie Eble, me të cilët diskutuan për objektivat në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të stabilitetit financiar në vend, në të cilin aspekt siç u tha në takim, Kosova është treguar e përgjegjshme.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e falënderoi delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për ndihmën që ky institucion ia ka dhënë Kosovës në zhvillimin ekonomik duke theksuar se FMN-ja është një partner i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Me Fondin Monetar Ndërkombëtar kemi një partneritet konstruktiv dhe bashkëpunimi mes Qeverisë dhe këtij institucioni është i frytshëm. Jemi të lumtur për këtë raport dhe Kosovës i duhet në vazhdimësi mbështetje nga FMN-në për arritjen e objektivave duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të rrisim bashkëpunimin, në favor të rritjes së përkrahjes financiare dhe investimeve të huaja”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj theksoi se bashkëpunimi me FMN-në është i rëndësishëm për një funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të stabilitetit buxhetor dhe financiar të Kosovës.
Nga ana e saj, Shefja e Misionit për Kosovë Stephanie Eble, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën.