Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në ShBA, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga presidenti Hashim Thaçi, me rastin e ndarjes së urdhrit “Hero i Kosovës”, për tre vëllezërit Bytyqi, Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës.
Në ceremoninë që u organizua në Konsullatën e Kosovës, në Nju Jork, para të pranishmëve të shumtë, prindërve të vëllezërve Bytyqi, familjarëve tjerë të shumtë, ish-presidentes Atifete Jahjaga, ambasadores Vlora Çitaku, konsullit Teuta Sahatçiu, përfaqësues të Batalionit “Atlantiku” dhe personaliteteve të tjera shqiptaro-amerikane, kryeministri Haradinaj, tha se ky moment është dëshmi se ajo që bëjmë për atdheun çdo herë jeton dhe kurrë nuk është vonë për ta respektuar dhe nderuar.
“Do ta kthejmë në traditë dhe do ta ngrisim në kult respektin për vlerat e lirisë, për familjet që kanë bërë për liri dhe jam i bindur se do t’ju përulemi përjetësisht ndër breza për kontributin tuaj, e që vjen me shumë dhimbje për vëllezërit tuaj që ranë për liri. Lavdi e përjetshme”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej kryeministri Haradinaj tha se është padrejtësi që Ylli, Agroni e Mehmeti nuk janë me ne, por një drejtësi ka ndodhë, është liria e Kosovës.
“Tani liria e Kosovës është e drejta e Zotit, e drejta e luftës, dhe besoj se edhe drejtësia për vëllezërit Bytyqi duhet të vendoset. Më vjen mirë që familja nuk dorëzohet nga padrejtësia që i ka ndodhë, por po ashtu që kanë rreth vetës miq dhe bashkëluftëtarë. Është fat që brezi i ardhshëm do të rriten në liri”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Presidenti Hashim Thaçi, pas ndarjes së urdhrit “Hero i Kosovës” për dëshmorët Yll Bytyqi, Mehmet Bytyqi dhe Agron Bytyqi, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës, falënderoj SHBA-të dhe diasporën për kontributin e dhënë në lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Falënderojmë SHBA-të, diasporën tonë edhe ata në Evropë, që nuk kursyet asgjë për liri dhe pavarësinë e Kosovës. Erdhët dhe luftuat për çlirimin e Kosovës. Batalioni “Atlantiku” e ka një rol të jashtëzakonshëm historik edhe për forcimin e bashkëpunimit mes ShBA-ve dhe Kosovës në atë kohë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kështu që të gjithë në një formë apo tjetër kemi qenë luftëtarë edhe ata që kemi qenë në istikame edhe ata që kanë ndihmuar lirinë e pavarësinë e Kosovës kudo”, ka thënë presidenti Thaçi.
Babai i tre vëllezërve Bytyqi, falënderoi përfaqësuesit institucional, duke thënë se kjo ka qenë një ëndërr e tij, duke thënë se ju sot i respektoni vëllezërit tuaj, ushtarët tuaj, djemtë tuaj dhe gjithë ata që ranë në rrugën e lirisë. “Sot jam shumë i kënaqur që jemi bashkë dhe liria u fitua”, tha babai i vëllezërve Bytyqi, duke shtuar se shqiptarët shquhen për krenarinë e tyre, dhe shtoi se edhe nga shteti në të cilin jetojnë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë mësuar shumë se si arrihet liria, duke çmuar kontributin e saj për lirinë e shqiptarëve.