Si e shohim ne gratë, gruan sot?
A e ka mbështetjen tonë gruaja sot?
Pse shpeshë i mohohen të drejtat e saj qenësore?
Shkruan: Selvete Abdullahu
Gruaja nëpër etapa të ndryshme të historisë është parë, trajtuar dhe perceptuar në mënyra të ndryshme. Jo shpesh herë ajo e ka marrë pozitën dhe është vlerësuar si duhet në shoqëri. Shumë herë vlerat dhe afinitetet e saj nuk janë marrë parasysh dhe personaliteti i saj ka mbetur nën hije.
Duke i mohuar të drejtën e fjalës së saj në të kaluarën ajo është ndier e anashkaluar dhe e shtypur. Nëpër periudha të ndryshme historike gruaja me gjithë potencialin dhe punën e saj ka lënë gjurmë të pa shlyeshme në histori. Rolet e saj si luftëtare, profesioniste, mjeke, nënë sakrifikuese, punëtore etj i kanë dhënë asaj një imazh të shkëlqyer në kohë.
Ajo me punën e saj i ka dhënë vetës shumë role të vështira dhe të shumëfishta gjatë jetës së saj, por a janë vlerësuar sa duhet pozitat e merituara në shoqërinë kosovare?!
Në përgjithësi në të kaluarën e largët njerëzit në vendin tonë kanë qenë shumë subjektiv në trajtimin e të drejtave të grave, por me zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë populli shqiptarë ka filluar të vetëdijesohet dhe të avancohet në raport me objektivitetin karshi gruas dhe meritave e saj.
Roli i gruas në shoqëri është i pa zëvendësueshëm dhe ky rol duhet të ngitet në piedestalin më të lartë. Veç kur e kemi parasysh gruan si shtyllë familjare të cilës i duhet brenda ditës të kryej punë të ndyshme në shtëpi dhe jashtë saj duke mos harruar edhe azhuritetet shkencore në proces.
Gruaja sot është lidere, artiste, piktore, poete, politikane, inxhiniere, biznesmene etj.
Me një fjalë gruaja kosovare sot është profesioniste. Ajo ka punuar për të arritur reultate të kënaqshme. Ajo ka ndërtuar identitetin e saj dhe karrierën ndër vite, prandaj është krahas mashkullit në shumë aspekte.
Ne gratë duhet të jemi krenare për arritjet e gjinisë sonë.
Përse vallë të mos i përkrahim gratë e zonja, gratë që kanë ambicie për të ecur tutje me mundin dhe punën e tyre?
Nëse ne nuk e përkrahim njëra-tjetrën atëherë kush presim te na përkrahë?
Gratë e zonja janë në dobi të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi, prandaj duhet t’i mbështesim moralisht që të jemi urë lidhëse dhe motivuese për njëra-tjetrën.
Nëse rrethanat tona nuk n’a mundësojnë t’a mbështesim financiarisht një grua punëtore atëherë së paku të jemi motivuese për të. Asgjë nuk n’a kushton të jemi të mira me dikë që vërtetë e meriton. Thjeshtë të kemi ndjenjën e respektit dhe nacionalitetit e jo ndjenjën e diskualifikimit dhe demotivimit. Kjo do të ishte shkatërruese për palën tjetër e në këtë rast gruan,
Fatkeqësisht shpesh gjendem mes një realiteti të hidhur ku përmes formave të ndryshme rrethanore disa nga gratë të prirura nga inate e xhelozi të rastit dëmtojnë në mënyre indirekte përmes rrjeteve sociale apo formave tjera që zgjedhin vet gratë.
Krejt kjo si pasojë e një rivaliteti te krijuar brenda botës së tyre personale. Garat e disa grave të pa arsyeshme janë shqetësuese për shoqërin tonë. Nëse nuk arrijmë ta pranojmë një realitet të krijuar me qëndrime të justifikueshme ndaj disa dukurive që janë në proces dhe kanë konotacion negativ ne kurrë nuk do të arrijmë të krijojmë një zgjidhje të drejtë për situatën e krijuar të gruas bashkë me pozitën e saj.
Nëse nuk dëshirojmë ta pranojmë realitetin në raport me të tjerët atëherë mos te jemi gjykuese të pa justifikueshme dhe dëmtuese të tjerave që punojnë vetëm për t’i përmbushur dëshirat tona keqdashëse. Thjeshtë sjellja jonë ndaj te tjerëve tregon pasqyrën e edukatës dhe kulturës sonë.
Unë gruan e shoh si mike dhe bashkëpunëtore e jo assesi si rivale. Secila prej nesh e ka vendin e vet në bazë të punës dhe afiniteteve që ka dhe asnjëra nuk jemi cenim për tjetrën. Prandaj, nuk kemi nevojë të garojmë duke shkelur mbi fatkeqësinë e tjetrës. Garat janë të mirëseardhura nëse bëhen direkt me punë dhe angazhim e jo me forma të ulta intriguese.
Kot, gratë i luftojnë gratë për interesa te veta personale sepse asesi nuk arrijnë te mohojnë vlerat dhe punën e grave meritore. Gratë e tilla vetëm e tregojnë nivelin e tyre. Lidhur me këtë aspekt qysh në kohën e lashtë filozofi grek Sokrati është fokusuar në edukimin e vetvetes dhe të tjerëve duke u bazuar në parimet e vetënjohjes, vetëkontrollit dhe vetëpërmbajtjes ku thotë: “Fol të të njoh” dhe “Të njohësh vetveten”. Në këtë fushë ka shumë gra që e posedojnë aspektin e parë dhe të dytë dhe janë koshiente për gjendjen e tyre, por nuk e menaxhojnë si duhet aspektin e vetëpërmbajtjes, prandaj vlojnë si qumështi.
Pa marrë parasysh divergjencave që mund të kemi ne gratë njëra me tjetrën gjuha që përdorim qoftë verbale ose jo verbale ka rëndësi të madhe në qasjen tonë ndaj çështjeve të caktuara. Në këtë formë ndërtohen perceptimet e tona rreth problematikave dhe individëve. Populli thotë: ( Fshati që duket s’do kallauz).
Mesazhi im për fund është që askush nuk ka të drejtë te cenoj integritetin e tjetrit për asnjë arsye, prandaj apeloj te gjitha shtresat e grave prej amvisës, punëtores, intelektuales që t’i thirrin mendjes dhe te krijojnë një kohezion mes vete sepse është në interes të përgjithshëm shoqëror.
Nëse brenda zemrës sonë ushqejmë ndjenjën e mirësisë dhe respektit kurrë nuk do të mbetemi në hak të askujt dhe ditët do t’i kalojmë me buzëqeshje.
“Grua bëhu motiv për gruan”
/autorja është psikologe organizative dhe sociale/