Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan ka shpërndarë sot fidane të arrës për fermerët, ku do të ngriten 15 hektarë me këtë kulturë.
Gjatë shpërndarjes së këtij subencioni, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i ka uruar fermerët, ndërkaq ka shprehur zotimin se Komuna edhe në vitin e adhshëm do të vazhdojë me mbështetjen edhe më të madhe ndaj tyre, me të gjitha kapacitetet.
Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka shfaqur zotimin se do t’iu qëndrojnë prapa fermerëve për implementimin e plotë të këtij projekti.
“Komuna e Gjilanit i ka dhënë mundësi të mëdha sektorit të pemëtarisë dhe fokusin e mbajtur kryesisht tek kulturat industriale. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga fermerët për mbështetjen në kulturën e arrës. Kemi vlerësuar se komuna jonë ka kushte të mira klimatike dhe tokësore për kultivimin e arrës, e mbi të gjitha, është kulturë e perspektivës, me treg të sigurtë”, tha ai.
I pari i bujqësisë në Gjilan ka numëruar rezultatet e punës për këtë vit, duke theksuar se 2019-ta ka qenë vit jashtëzakonisht i suksesshëm për këtë sektor.
“Kemi pasur partneritete me Komisionin Europian, shkollën e agrobiznesit “Arbëria”, e donatorët tjerë në favor të blegtorëve. Kemi subvencionuar në plotni mbjelljet pranverore dhe vjeshtore dhe kemi bërë përpjekje për t’i selektuar projektet kapitale investive për t’ua lehtësuar punën bujqve. E falënderoj kryetarin Haziri dhe nënkryetarin Ismajli për mbështetjen e madhe që ia ka dhënë këtij sektori”, ka përfunduar Ramadani.