Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Italisë, gjenerallejtënant Salvatore Farina me ceremoni ushtarake.
Ministri Rrustem Berisha, gjeneral Rrahman Rama, zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Agim Çeku, sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj dhe stafi i lartë i MFSK/FSK-së zhvilluan një takim të përbashkët me delegacionin italian të Forcave të Armatosura, ku përpos kryesuesit të delegacionit, gjeneralit Farina ishin edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Salvatore Cuoci dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Piero Cristoforo Sardi.
Me këtë rast, ministri Berisha ka falënderuar gjeneralin Farina, për angazhimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e pakursyer të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Italisë dhënë Kosovës, popullit, sigurisë dhe lirisë së saj.
Ministri Rrustem Berisha, theksoi se falë mbështetjes së shteteve dhe forcave mike dhe partnere, FSK-ja ka arrit të zhvillohet profesionalisht, të jetë forcë e përfaqësuar nga të gjithë dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës. Më tej, ministri Berisha duke i shprehur gjeneralit italian Farina, gatishmërinë për bashkëpunim shprehu interesimin dhe synimin që Ministria për FSK-në dhe Ministria e Mbrojtjes së Italisë, sa më parë të formatizojnë bashkëpunimin me marrëveshje ndërshtetërore.
Objektivi i Kosovës, shtoi ministri Berisha, është anëtarësimi i shtetit të Kosovës në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian, e gjithsesi edhe anëtarësimi në iniciativa rajonale të mbrojtjes. Republika e Kosovës, vazhdoi ministri Berisha, është e vetëdijshme për sfidat rajonale dhe globale, dhe për këtë, rikonfirmoi, i pari i FSK-së, se: ,,Si FSK jemi të gatshëm që me disa prej kapaciteteve tona të kontribuojmë së bashku me partnerët tanë kudo ku paraqitet nevoja, në mënyrë që edhe Kosova të kontribuojë për paqe dhe stabilitet ashtu siç shtetet mike kanë kontribuar për paqen dhe stabilitetin në atdheun tonë”.
Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se FSK-ja është ngritur dhe zhvilluar në bashkëpunim dhe në mbështetje të partnerëve dhe miqve të Kosovës, dhe neve na duhet edhe më tutje kjo mbështetje. Më tej, gjeneral Rama, shtoi se ne jemi në një fushatë intensive informuese dhe këshilluese të shteteve dhe të qendrave të rëndësishme evropiane, mbi procesin e zhvillimit dhe të ardhmen e FSK-së, për t’i informuar se: ,,Udhëheqësit janë për të marrë vendime të vështira, por ne duam që këto vendime mos ta befasojnë askënd’’.
Kryesuesi i delegacionit italian, gjenerallejtënant Salvatore Farina, në fjalën e tij, tha se Forcat e armatosura të Italisë janë të gatshme që në vazhdimësi ta mbështesin Kosovën në sferën e sigurisë dhe zhvillimit të kapaciteteve të saj të sigurisë. Në fund, gjenerali Farina, theksoi se: „FSK-ja është dhe do të jetë faktor me rëndësi, dhe se FSK-ja nuk është problem, por, FSK-ja është pjesë e zgjidhjes’’, duke premtuar se jo vetëm që do të arrihet dhe do të zyrtarizohet marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Italisë e Kosovës, por se do të hapen dyert për prosperitet në të ardhmen.