Në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, më 17.10.2019, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita kolektive/kuratoriale e titulluar “Post-Avangarda Lindore”.
Nën organizimin kuratorial të kritikes së mirënjohur të artit, Suzana Varvarica Kuka, autorët e kësaj ekspozite të përbashkët janë Adrian Çene, Albana Shoshi dhe Brikena Bërdo.
Përmes një emërtimi të tillë të ekspozitës, kuratorja Varvarica-Kuka, synon të “provokojë” botën artistike shqiptare dhe jo vetëm, nëse arti i vendeve të ish-Bllokut të Lindjes (ku dikur bënin pjesë Kosova e Shqipëria) arrinë që t’i bëjë ballë estetikisht artit të vendeve perëndimore.
Duke i bërë bashkë tre artistë të shquar nga Shqipëria, kuratorja Varvarica-Kuka synon gjithashtu të ndërthurë dhe ballafaqoj në njohje dhe komunikim, artin pamor të krijuesve shqiptar nga të dy anët e kufirit administrativ Kosovë-Shqipëri.
Qëllimi i saj është të ndërthurë në njohje dhe komunikim kulturën pamore të artistëve nga Shqipëria me kulturën pamore të artistëve të Kosovës.