Komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, Major Alban Ramushi me bashkëpunëtorë ka pritur në një takim pune drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal, Nevzad Rushiti, si dhe me inspektorët e mjedisit, me të cilët ka pasur diskutime rreth thellimit edhe më të madh të bashkëpunimit në mes të inspektorëve komunal dhe Policisë së Kosovës nga Stacioni Policor i Gjilanit, me qëllim të ruajtjes së ambientit dhe krijimin e një klime të pastër në Komunën e Gjilanit.
Ai ka njoftuar drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal, Nevzad Rushiti dhe inspektorët e këtij dikasteri se Policia e Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë dhe të i ndihmojë në çdo kohë me qëllim që të arrihet vetëdijesimi i qytetarëve për një ambient të pastër.
Kështu bëri të ditur Ismet Hashani, zëdhënës i policisë së rajonit të Gjilanit, duke theksuar se do të shqiptohen gjoba mandatore nga inspectorët komunal dhe policia ndaj të gjithë personave fizik e juridik të cilët qëllimisht hedhin mbeturina jashtë vendeve të përcaktuara që janë të destinuara për këtë qëllim.
Do të gjobiten, sepse në këtë mënyrë bëjnë ndotjën e ambientit dhe mjedisit, gjë që ky fenomen paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve tonë.
Inspektorët Komunal kanë dorëzuar edhe Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë me numër 06/2018 , ku parashihen përveç masave tjera edhe Ndëshkimet dhe Gjobat Mandatore.
“Policia e Kosovës gjithmonë dhe me përkushtim do të punoj për krijim të ambientit të qetë dhe prosperues për të gjithë”, tha Hashani.