Korça e Rushiti: Gjilani i përkushtuar për zbatim të ligjit dhe mbrojtje të ambientit

Korça e Rushiti: Gjilani i përkushtuar për zbatim të ligjit dhe mbrojtje të ambientit

Komuna e Gjilanit ka apeluar të gjithë shfrytëzuesit e pronës publike që t’i bëjnë pagesat financiare konform vendimeve që janë lëshuar në bazë të kërkesave të parashtruara.

Në një konferencë për media, drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça dhe ai i Inspeksionit, Nevzad Rushiti, kanë potencuar edhe punën dhe angazhimin që janë duke e bërë në fusha të ndryshme të përgjegjësisë së tyre, me theks të veçantë në projekte, mirëmbajtje, shërbime dhe monitorim në bazë të ligjit, për të krijuar kushte më të mira për jetën e qytetarit.

Korça ka potencuar se lokalet afariste në përgjithësi janë përgjegjur pagesave për shfrytëzimin e pronës publike, e cila është dhënë në shfrytëzim, mirëpo theksoi se ka ende biznese që edhe përkundër kërkesës nuk e kanë tërhequr vendimin dhe njëkohësisht nuk ka bërë as pagesa për shfrytëzim.

“Apelojmë të lokalet afariste që të tërheqin vendimet e Drejtorisë dhe të bëjnë pagesat konform rregullores së Komunës. Gjatë ditëve në vijim do të nisim aksionin për lirimin e gjitha hapësirave publike, qofshin edhe ato të cilat deri më tani kanë pasur lejen e shfrytëzimit, por me rregullore më 30 shtator përfundon shfrytëzimi i hapësirave publike. Në rast se edhe pas kësaj periudhe bëhet kërkesë për shfrytëzim, kjo do t’u mundësohet nëse ka kushte për një gjë të tillë. Nga java e ardhshme do të fillojmë me aksionin për lirimin e të gjitha hapësirave që shfrytëzohen pa leje”, ka thënë drejtori Naser Korça.

Kurse në fjalën e tij drejtori i Inspeksionit, Nevzad Rushiti, ka thënë se aksioni do të merret për lokalet dhe bizneset të cilat nuk i kanë përfillë rregullat ligjore të Komunës së Gjilanit.

“Inspeksioni është në aksion për bizneset që nuk janë të ndërgjegjshme. Ne kemi vizituar të gjitha këto lokale, kemi bërë vërejtjet dhe do të presim vetëm edhe këto dy tri ditë dhe në raste se nuk bëhen pagesat, do të fillojmë aksionin në bazë të rregullores së Kuvendit të Komunës, për konfiskim të pjesës materiale që gjendet në hapësirat publike”, ka thënë drejtori Rushiti.

Ai, gjithashtu, ka theksuar edhe punën që është duke u bërë në identifikimin e deponive të egra.

“Jemi të përkushtuar për eliminimin e tyre përmes aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, pastaj ruajtjen e ambientit, mirëmbajtjen dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbruara, sepse është përkushtim ndaj natyrës dhe jetës në përgjithësi”, ka përfunduar Rushiti.

KOMENTE