Gjilani lider i Superligës, trajneri Mezani ankohet për referimin

Gjilani lider i Superligës, trajneri Mezani ankohet për referimin

Gjilani ka rimarrë kreun e tabelës pas fitores në udhëtim te Vushtrria (1:3), por kryetrajneri i kësaj skuadre Gentjan Mezani ka një shqetësim të madh.

Ai ka theksuar numrin e kartonëve të shumtë që ka marrë skuadra e tij në këtë edicion, derisa për këtë i ka vënë fajin ‘këmishzinjëve’.

“Gjilani është skuadra më e dëmtuar këtë edicion. Vetëm në 14 xhirot e para kemi marrë 48 kartonë të verdhë dhe dy të kuq. Kjo gjë nuk i bënë mirë as futbollit dhe as askujt. Kemi një president që po investon shumë dhe askush nuk mund të tallet me ne. Gjyqtarët duhet të jenë objektiv, sepse jemi ndëshkuar më shumë se çdo skuadër tjetër këtë edicion. Nuk është normale të shpërndash aq shumë kartonë për pak xhiro, dikush duhet ti shiqojë këto gjëra”, deklaroi Mezani.

Më pas Mezani u ndal edhe te mungesat e shumta që po i përcjellin ‘kuqebardhët’ në vazhdimësi këtë edicion.

“Kemi patur shumë dëmtime edhe para kësaj ndeshje, ndërkohë sot për faj të terrenit na janë dëmtuar edhe tre futbollistët të tjerë. Normalisht se na shqetëson gjendja e lojtarëve, por ne do të marrim ndeshjet një nga një dhe do të shohim para”, shtoi Mezani.

Gjilani me 30 pikë tashmë kryeson renditjen tabelare në Superligë.

Në kuadër të javës së 15-të, Gjilani e pret në shtëpi Drenicën.

KOMENTE