Sipas paralajmërimeve nga Qeveria, gjatë ditës së martë, ndryshimet kushtetuese do të shpallen në Gazetën Zyrtare që edhe zyrtarisht do të hyjë në fuqi emri i ri i shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në ndërtesën e Qeverisë është hequr mbishkrimi “Republika e Maqedonisë” dhe pritet të zëvendësohet me mbishkrimin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Ndërsa, tabela e parë me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut ka mbërritur në vendkalimin kufitar Bogorodica me Greqinë. Edhe nga ndërtesa e ekzekutivit është larguar mbishkrimi Qeveria e Republikës së Maqedonisë për t’u zëvendësuar me emrin, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Mbishkrimi do të jetë edhe në gjuhën shqipe. Veç kësaj, para Qeverisë tani do të qëndrojë edhe flamuri i NATO-s.
Nga Qeveria ende nuk japin detaje se në cilat institucione tjera do të ndërrohen tabelat, të cilat po ashtu do të jenë në dy gjuhë. Jozyrtarisht siç bëhet e ditur, Kuvendi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes pritet të jenë të parat që do të zbatojnë detyrimet nga Marrëveshja e Prespës.