“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e njoftojmë opinionin se sot presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë. Për ceremoninë e varrimit të të ndjerit opinioni do të njoftohet me kohë. Ky lajm ka tronditur mbarë opinionin, derisa ka prekur jashtëzakonisht shumë komunitetin e futbollit”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e njoftojmë opinionin se sot presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë. Për ceremoninë e varrimit të të ndjerit opinioni do të njoftohet me kohë. Ky lajm ka tronditur mbarë opinionin, derisa ka prekur jashtëzakonisht shumë komunitetin e futbollit.
Biografia e presidentit Fadil Vokrri
Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola.
Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola.
Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.
Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.
Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar, 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si president i FFK-së.
Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. I ndjeri pas vetës la bashkëshorten Editën dhe tre fëmijët, djemtë Gramozin e Albertin dhe vajzën Albanën.