Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë sot prezantimin e logos së re si dhe fanellat e reja të Kombëtares së Kosovës për ciklin e ri kualifikues.
Detajet rreth logos së re dhe të fanellave në konferencën për media i dhanë Bakir Burri, nënkryetar, Alba Morina nga zyra e marketingut dhe Lulzim Berisha, kryetar i grupit të tifozëve “Dardanët”. Në fakt, FFK me kërkesë të UEFA-së dhe me vullnetin e pajtueshmërinë e plotë të presidentit Agim Ademi, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, Komitetit Ekzekutiv dhe tifozëve Dardanët e ka filluar procesin e ribrendimit.
Nënkryetari Bakir Burri theksoi se FFK-ja logon e re e ka cilësuar të qëlluar pasi në të janë përfshirë simbolet tona të lashta. “Dëshiroj që kjo emblemë të pëlqehet nga të gjithë. Neve si federatë na ka pëlqyer dhe është e qëlluar pasi i ka simbolet tona. Shpresoj që me këtë emblemë dhe fanellat e reja të kemi fat në këto kualifikime”, ka thënë ai.
Ndërkohë, edhe kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha theksoi se logo e re është bërë në koordinim me ta dhe janë të lumtur që simboli dardan është pjesë e logos.
Në anën tjetër, Alba Morina ka dhënë detaje mbi procesin e ribrendimit. “Puna e ribrendimit i është besuar partnerit të UEFA-së, i cili deri më tani kanë punuar logot e 28 federatave anë e kënd botës dhe kjo është një dhuratë nga UEFA për FFK-në. Kombëtarja e Kosovës tashmë është simbol i krenarisë së këtij vendi, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës është shndërruar në forcën unifikuese të shqiptarëve, në forcën pozitive që si mision ka ta mbrojë, ta zhvillojë e ta promovojë futbollin kosovar. Andaj FFK dhe presidenti Ademi, janë të vendosur të jenë të bashkuar, të hapin mundësi dhe të shërbejnë me integritet e dinjitet”, ka thënë Morina.
Ajo tutje ka bërë të ditur se forma e logos është e inspiruar në mburojën Dardane, që tregon fuqinë që populli ynë ka për të mbrojtur vlerat e veta, derisa si simbole të kësaj logoje janë përdorur Dielli Dardan, që simbolizon fillimet e mundësive të reja, trimërinë, ngrohtësinë e fuqinë, energjinë pozitive dhe besimin në vete e qe ndërlidhen me vlerat që prezanton FFK, integriteti, nderi, uniteti dhe ngritja e futbollit.
Yjet e flamurit të Kosovës dhe topi i futbollit si forca më pozitive e historisë ndër vite, që nga sakrifica e deri tek shkëlqimi ditëve të sotme. /FFK/