Sot në selinë e FFK-së për të tretin vit radhazi është mbajtur seminari për licencimin e klubeve për garat e UEFA-së.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi klubet kosovare për organizim shumë të mirë në stinorin vjeshtor dhe theksoi peshën që ka licencimi për gara evropiane.
“Deri më tash kemi qenë mirë sa i përket licencimit të klubeve, por duhet të vazhdojmë të punojmë me përpikëri në të gjitha segmentet. Pas rezultateve të mira që kemi pasur me ekipin kombëtar, ne kemi bërë kërkesë që kampionati ynë të vlerësohet dhe ngritet në nivel më të lartë, pasi ne konsiderojmë se nuk jemi në nivel me disa shtete që i kanë ligat shumë më të dobëta. Pra, qëllimi ynë është që kampionati ynë të vlerësohet më lartë, në mënyrë që të rritet numri i ekipeve që do të jenë pjesë e garave evropiane. Por, për të arritur këtë duhet që të kemi rregullsi dhe cilësi të garave, pastaj infrastrukturë më të mirë dhe organizim të mirëfilltë të ndeshjeve”, ka theksuar presidenti i FFK-se, Agim Ademi.
Tutje presidenti ka thënë se barra kryesor për organizim dhe cilësi i bie klubeve, duke shpresuar se të gjithë do të kontribuojnë që të nxjerrim rezultatin real të këtij edicioni, në mënyrë që deri te suksesi të arrijnë ekipet që e meritojnë. Presidenti theksoi se organet e FFK-së do ta bëjnë punën e tyre dhe se nuk do të tolerohet asnjë gabim.
Ndërkohë, më pas kanë vazhduar punimet e seminarit ku menaxheri i licencimit, Bajram Shala, zv.sekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti dhe eksperti financiar, Indrit Canolli i kanë njoftuar klubet për procesin e licencimit, si dhe për risitë në këtë segment.
Menaxheri i licencimit, Bajram Shala ka njoftuar klubet se edhe sivjet skuadra kampione do të marrë pjesë në raundin parakualifikues që zhvillohet me katër ekipe. Ai ka bërë të ditur se FFK-ja sivjet ka aplikuar që ta marrë organizimin e këtij raundi, në mënyrë që t’i krijojmë kushte sa më të mira klubit kampion që ta përfaqësojë Kosovën sa më mirë dhe ta ketë përkrahjen e tifozëve.