1 Qershori- Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve
Shkruan: Arta Haziri-Nuhiu
Qershori muaj i qershizave. Kush nuk e do këtë muaj, kush nuk i do qershitë?! Përveç kësaj Qershori simbolizon një ditë të veçantë, 1 qershori është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Fjala fëmijë është definicioni më i bukur i çdo familje e shoqërie pa dallim. Personalisht për mua fëmijët janë një botë e veçantë, një botë ku gjen lumturinë e përditshme.
E rritur në një familje ku fëmijët kishin privilegje, vazhdova edhe unë që privilegjet më të mëdha të jetës ti jap fëmijëve. Unë përveç angazhimeve profesionale, kam zgjedhur një pjesë të kohës sime të artë t’ia kushtoj pikërisht fëmijëve përmes grupit muzikor ”Mollëkuqet”. Nuk ka gjë më të bukur, gjë më të shenjtë se përkushtimi dhe kalimi i kohës me fëmijët.
Sa më shumë që kalon kohë me ta, aq më shumë frymëzohesh, aq më shumë motivohesh, mbushesh energji pozitive. Sa me fat që jam e rrethuar me botën fëminore. Si profesoreshë, si drejtoreshë e grupit të Mollëkuqeve, do të ngre zërin lart gjithmonë për të krijuar kushte më të mira për fëmijët në çerdhe, shkolla e në çdo institucion privat e shtetëror.
Nuk ka pasuri më të madhe se fëmijët, andaj ne si shoqëri e kemi obligim të përkushtohemi më shumë dhe ti kemi prioritet gjithmonë fëmijët. Meqenëse tashmë Kosova ka hy në një proces zgjedhor, ku pa dyshim që kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj, unë që i përkas fushës së artit e kulturës dhe si mësimdhënëse kërkoj dhe besoj që qeveria Haradinaj të ketë prioritet fëmijët duke realizuar: Më shume çerdhe, Më shumë kënde lojërash Më shume aktivitete argëtuese.
Për fund të gjithë fëmijëve, familjeve e prindërve gëzuar 1 Qershorin -Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Uroj që kjo ditë dhe ditët tjera të na shërbejnë për një kujdes më të madh për fëmijët tanë që janë pasuria më e madhe e çdo familjeje.
Autorja është profesoreshë, drejtoreshë e grupit ‘Mollekuqet’ dhe kryetare e AGK-së Dega Gjilan.