Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është duke vazhduar me përgatitjet për FIBA U16 Kampionatin, Divizioni C sipas planit të paraparë në koordinim me FIBA Evropën.
FIBA U16 Kampionati Evropian, Divizioni C është në program prej 11 deri më 19 Korrik 2020 në Prishtinë.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila njëherësh është edhe Udhëheqëse e Komitetit Lokal Organizativ të Kampionatit Evropian për faqen zyrtare të FBK-së ka bërë të ditura detajet rreth përgatitjeve për këtë event shumë të rëndësishëm, jo vetëm për basketbollin, por edhe për sportin kosovar në përgjithësi.
Elvira Dushku, Udhëheqëse e Komitetit Lokal Organizativ të FIBA U16 Kampionatit Evropian:
“Pavarësisht situatës së krijuar me COVID-19, stafi i zyres ekzekutive të FBK-së kemi vazhduar punën nga shtëpitë dhe me intensitet të lartë në këto javë ne kemi punuar në përgatitjet për FIBA U16 Kampionatin Evropian, gjithnjë në koordinim me FIBA-n.
Tashmë janë përgatitur Plani i Veprimit, Plani Financiar dhe Plani i Marketingut për FIBA U16 Kampionatin Evropian, të cilat materiale së bashku me orarin e stërvitjeve dhe të ndeshjeve të Kampionatit janë miratuar nga FIBA.
E kemi formuar Komitetin Lokal Organizativ të FIBA U16 Kampionatit Evropian, grup ky që së bashku me vullnetarët do të kujdesen për mbarëvajtjen e eventit.
Në ditët në vazhdim pritet të miratohet nga FIBA edhe Bulletini i Parë i FIBA U16 Kampionatit Evropian, në të cilin janë të detajuara të gjitha informatat sa i përket këtij eventi, dhe që më pas do tu shpërndahet shteteve pjesëmarrësë të Kampionatit Evropian dhe të gjitha grupeve të tjera të interesit të FBK-së.