Çfarë janë “fake news” apo lajmet e rrejshme? Lajmet e rrejshme, janë lajme apo storie të krijuara që qëllimisht të keqinformojnë ose mashtrojnë lexuesit dhe opinionin publik.
Shkruan: Bekim Thaqi
Lajmet e rrejshme, shpesh krijohen për të ndikuar në pikëpamje apo për motive politike, biznesore, hakmarrëse por edhe për hesap të ndonjë portali, gazete apo uebsajti ku qëllimi mund të jetë përfitimi material apo ndonjë gjë tjetër.
Origjina e lajmeve të rrejshme, daton që nga historia e lashtë ku sundimtarë të ndryshëm lansonin një lajm të rrejshëm, me të cilin dobësonin pozitën e kundërshtarit ose të një populli me qëllim të mundjes më të lehtë të tij.
Në ditët e sotme, me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, mund të themi se “fake news” kanë evolvuar dhe janë bërë temë e zakonshme në media ku shpeshherë paraqesin probleme të shumta të cilat e arrijnë efektin fillestar, dhe edhe pasi reagohet dhe zbulohet se ka qenë lajm i rrejshëm, megjithatë efekti veçse është arritur dhe ata të cilët e kanë lansuar atë lajm i fërkojnë duart. Si ta dimë që një lajm është i rremë apo” fake news”
- Interesohuni për burimin dhe se a ka ndonjë adresë ai lajm. Lajmet e rrejshme zakonisht nuk kanë ndonjë adresë apo burim më emër.
- Kntrolloni se a ka dalë i njëjti lajm edhe në gazetat prestigjioze apo më reputacion të besueshëm.
- . Shiko nëse ky lajm i paraqitur ta zëmë në rrjetet sociale ka ndonjë video të pabesueshme dhe me këtë rast paraqite apo raportoje.
- Përdor logjikën dhe nëse ka diçka që logjikisht nuk shkon me lajmin, atëherë shanset janë shumë të mëdha që nuk është asgjë tjetër përveçse edhe një lajm i rrejshëm i radhës?
Mënyra më e mirë për luftimin e lajmeve të rrejshme apo ”fake news”, do të ishte etika e pastër gazetareske dhe kontrolli i dyfishtë apo trefishtë i lajmit, nga vetë gazetat, portalet apo gazetarët që e publikojnë atë lajm në mënyre që ai mos të arrijë fare në shtyp apo në media dhe në këtë mënyrë as tek lexuesi.
Megjithatë, duke e ditur se të gjithë janë në garë për ta bërë sa më parë publik lajmin, dhe për të marrë kredi apo përfitime nga klikimet, ky mision për momentin duket të jetë pothuajse ‘mision i pamundur’.
Do të ishte mirë që edhe legjislatura të merrej me këtë, dhe të sanksionoheshin ato portale, media apo rrjete sociale që publikojnë lajme të rrejshme me qëllim, dhe kjo ndoshta do të ishte mënyra me efektive për tu marrë me këtë çështje.