Manifestimi kombëtar i kulturës, “Flaka e Janarit”, 2021
Tregimi që fitoi Çmimin e parë
Dionis PRIFTI
ËNDRRA ME PESHQ
Maria u zgjua e shqetësuar. Një peshk i madh i vërtitej krevatit. E gjithë dhoma ishte mbushur me ujë, orenditë tundeshin lehtë e lëshonin flluska të vogla, tamam si të ishin në një akuarium të madh. Nga dritarja që tani zinte gjithë murin e djathtë, futej dritë e kaltër, aty-këtu më e zbardhët a më e errët. Nga përtej murit-xham dalloheshin ca leshterikë e në thellësi ca turma peshqish. Në ca rrethana pak më ndryshe, ajo ëndërr do të ishte vërtet qetësuese. Por presioni i ujit në vesh dhe pamundësia për të folur e kthenin në një makth tipik. Donte të lëvizte, të kthente kokën e të shihte peshkun, leshterikët, flluskat. Ishte murosur në atë pozicion, mund të perceptonte çka ndodhte rreth saj me ca sy të padukshëm pas kokës. Donte të ulërinte, por sa herë përpiqej, vetëm dridhej nga një ngërç i tmerrshëm që përhapej në të gjithë muskujt e trupit. I dukej sikur një peshë e madhe i rëndonte në gjoks e i merrte frymën. Megjithëse nuk e shihte mirë peshkun, se qafa i kishte ngrirë shtrembër në jastëk, koka e tij e madhe i zinte gjithë dritën kur i kalonte pranë fytyrës e bishti i tij që lëvizte gati me kërcënim, i sillte rryma të ftohta uji që i futeshin në vesh e në hundë.
Maria u zgjua e shqetësuar. U ngrit menjëherë e piu ujë në kuzhinë. Nga eksperienca që kishte me makthet, e dinte që nuk duhej kurrsesi të qëndronte në krevat, se kishte shumë mundësi që të futej në një makth të dytë e, madje, në një të tretë brenda të dytit. Ndërsa pinte ujë, hapi perden e u përpoq të shquante në errësirë përjashtësinë. Edhe ato pak drita të verdha që dalloheshin mbi shtyllat e rrugës, visheshin nga mjegulla dhe e trashnin edhe më shumë ajrin e rënduar. Ajo paqartësi dhe mjegulla e ngjeshur e dritat që mezi depërtonin, i kujtuan përsëri ndjesinë e të qenit nën ujë dhe s’iu duk çudi sikur në atë moment, midis asfaltit të zi e shtyllave, të shfaqej një peshk i madh që tundte bishtin e hapte velat e kuqe. Piu prapë ujë dhe solli ndërmend çfarë kishte dëgjuar se simbolizonte peshku në ëndërr: një fatkeqësi ose një mundësi e mirë që do të të shpëtojë nga duart.
Marika u zgjua e buzëqeshur. Kishte dalë poshtë pallatit me një govatë të madhe të kuqe dhe mblidhte peshqit e vegjël që binin nga qielli. Ishte zgjuar nga trokitjet e asaj çka fillimisht kishte menduar se qe breshër. Pastaj kishte zbritur me të shpejtë, duke menduar për çmimin e peshkut që kishte shkuar në qiell e këtë fat të madh që po i binte pikërisht nga qielli. Në katin e dytë u kujtua që nuk kishte marrë asnjë qese me vete, kështu që u ngjit përsëri, mori një qese të madhe ku mbante jorganin, por pastaj mendoi me të drejtë se mund të këputej, dhe në fund vendosi për govatën. Kur zbriti poshtë, u zhgënjye që nuk qe e para që kishte zbritur, pothuaj të gjitha gratë e lagjes kishin dalë me govata edhe më të mëdha se ajo e saja, të gjitha të kuqe. E vuri mjetin e peshkimit pak para hyrjes së pallatit dhe e shihte me qejf tek mbushej. Pa nga govatat e tjera se mos kishin peshq më të mëdhenj, por ishin të gjithë të vegjël. Mirë edhe aq. Kur të gjitha gratë e kishin vendosur govatën në një pozicion të mirë për t’u mbushur dhe kishin vënë duart në bel duke pritur, ngritën sytë nga njëra-tjetra e shkëmbyen ca shikime të lumtura, pastaj filluan të qeshnin e qeshën aq shumë sa zhurma kumboi midis hyrjeve të pallateve e oshtima e çmendur e zgjoi Marikën.
Marika u zgjua e buzëqeshur. Vuri kafen, mbaroi punë shpejt në banjë, u vesh, rregulloi flokët, e kapi kafen si përherë në momentin e fundit para se të derdhej, i hodhi sheqer, e la të ftohej pak ndërkohë që rregullonte krevatin, pastaj futi në çantë rrobat e punës dhe një banane, piu kafen dhe e la derën pak hapur që shoqja ta kuptonte që qe zgjuar e të mos trokiste si e çmendur. Veshi këpucët, mori çantën dhe doli tamam në kohën kur shoqja po bëhej gati ta thërriste nga përtej derës së hapur. Zbritën shkallët e Marika i tregoi me entuziazëm ëndrrën me peshq të vegjël. Shoqja qeshi duke i thënë “Eh, mirë do ishte”, dhe pastaj “Po, në fakt, peshqit begati e para janë, kështu që prit gjëra të bukura Marika”. Dhe çuçurinin e qeshnin ndërkohë që zbrisnin, po ne nuk i kuptojmë dot se ç’thonë, se ne jemi akoma lart në katin e shtëpisë së Marikës, ndërkohë që ato dalin nga hyrja e pallatit e shkojnë në punë.
Marina u zgjua e eksituar. Kishte vrapuar gjithë natën në një fushë të mbjellë me peshq. Ata qëndronin të ngurtë e të gjatë si pemë, e ajo përplasej pas tyre, gjithnjë e më e lumtur. Herë pas here lodhej e atëherë qëndronte pranë tyre e u prekte ngadalë luspat e forta, i ledhatonte e i shihte tek hapnin gojën. Ajo ngrinte kokën lart, vazhdonte t’i përkëdhelte e vazhdonte të shihte gojët e tyre që hapeshin aq bukur. Dhe ëndrra nuk mbaronte, ngatërrohej në çarçafët e saj të bardhë, e gjysmën e natës asaj i dukej se flinte e përqafuar me peshq të mëdhenj.
Marina u zgjua e eksituar. Doktori i kishte thënë se peshqit e mëdhenj, ashtu si kuajt, ashtu si trungjet e pemëve, përfaqësonin penisin, energjinë seksuale mashkullore. Ajo ishte dridhur lehtë kur kishte dëgjuar këto fjalë dhe kishte parë me kujdes buzët e doktorit përmes mjekrës së dendur. Ishte ndjerë transparente, jo e turpëruar, transparente. Dhe tani që sillte ndërmend përsëri fjalët e doktorit, pas natës së dytë që shihte të njëjtën ëndërr, mendoi se vërtet ai kishte të drejtë. Rikujtoi vrapimin e saj në fushën me peshq, ledhatimet e luspave, gojën e tyre tek hapej dhe iu duk se ai kishte të drejtë. Ose ndoshta doktori e kishte thënë vetëm që t’i mbillte asaj në tru mendime të tilla. I dukeshin shpesh të pista mendimet e tij. Po, po, e kishte thënë për ta joshur. Gati-gati i kishte thënë, se ai vetë, doktori, përfaqësonte penisin.
Mariam u zgjua e përhumbur. Një peshkaqen i madh, me një turi me majë, qëndronte në ajër e godiste një mur të lartë përmes një shkretëtire të pluhurosur. Ishte vapë dhe qetësi. Peshku përgatitej pak sekonda duke lëvizur bishtin e pastaj i vërsulej murit që nuk tundej, vetëm sa lëshonte një oshtimë të mbytur. Mariam e gjeti veten mes asaj shurdhësie mbytëse, pa vërdallë, asgjë përveç peshkaqenit. Por ajri nuk ishte aspak i zbrazët si toka, në të ndiheshin molekula të freskëta njerëzore, a thua i gjithë ai rrip toke përgjatë murit kishte qenë përjetësisht i banuar e vetëm tani sapo ishte boshatisur. U ndje e vetmuar. Peshkaqeni i egërsuar vazhdonte të godiste murin. Megjithëse e kishte trembur në fillim pamja e tij, ajo hapësirë e pafund, molekulat e ajrit e vapa përgjumëse, ia zbutën zemrën Mariamit, e futën në një gjendje melankolie dhe ajo u afrua fare pranë fytyrës me dhëmbë të tmerrshëm të peshkaqenit. Zgjati dorën dhe e preku lehtë në faqe peshkun e gjorë që dihaste nga stërmundimi. Ai u kthye nga ajo dhe papritur qe shndërruar në një peshk të butë të ujërave të cekëta, luspat e tij kishin një shndritje të mekur, sytë e tij të mëdhenj e të përgjakur e shihnin me dashuri. Ajo donte ta puthte, ta përqafonte fort dhe u hodh drejt tij krahëhapur.
Mariam u zgjua e përhumbur. Ndenji disa minuta të mira me sytë në tavan duke u përpjekur të gjente një kuptim. Ishte vetëm në krevat. Pa orën. Nuk ishte shumë vonë. Mori në telefon të shoqin. Ai ishte në punë, nga mbrapa dëgjohej gjullurdia e njerëzve. Zëri i shqetësuar i së shoqes e bëri të veçohej në një vend të qetë dhe ai e pyeti si qe puna. Ajo i shpjegoi ëndrrën. Dhe ndërsa ia shpjegonte, qante. Pastaj qëndruan në heshtje. Pastaj ajo qau edhe pak, ai heshti edhe pak. Dhe ai i tha se duhet të ishte një ëndërr e gabuar, nuk mund të ishte ëndërr për të, vendi i tyre nuk kishte det.
Shifra: BALONA