Tri ditë para derbit lokal Gjilani-Drita, e vlefshme për Vala Superligën e Kosovës në futboll, janë mobilizuar të gjithë akterët e kësaj ndeshje, kryesitë e ekipeve, futbollistët, tifozët, por edhe Policia e Kosovës nga Stacioni Policor i Gjilanit.
Për këtë, Policia e Gjilanit, gjegjësisht komandanti i saj major Remzi Azemi, ka mbajtur një takim konsultativ me përfaqësuesit e dy skuadrave Gjilani-Drita dhe përfaqësuesit e tifo-grupeve gjilanase.
Në takim janë diskutuar gjerë e gjatë të gjitha detajet e organizimit të kësaj sfide sportive.
Komandanti i stacionit Policor në Gjilan, major Remzi Azemi, ka njoftuar për tifozëritë se nuk do të lejohet në asnjë mënyrë prishja e rendit dhe qetësisë nga askush.
“Të dielën të dy tifo-grupet do të hynë në stadium 1 orë para lojës, por nuk do të lejojmë që të hyjë asnjë gjësend që mund të hedhet, as mjete piroteknike, duke përfshirë edhe shishe të ujit. Nuk do të lejojmë as transparente me përmbajtje fyese dhe raciste, sepse ky derbi do të përcillet edhe nga mekanizmat ndërkombëtar të futbollit, FIFA dhe UEFA. Nuk është ofendim me përkrah ekipin, por ofendim është me fye, qoftë edhe gjatë marshimit në rrugët e qytetit. Neve si Kosovë dhe ekipeve tona të Gjilanit nuk na lejohet të bëjmë gabime të tilla. Një gjë është e sigurt, policë kemi mjaftueshëm dhe tolerance do të jetë zero për secilin që bënë veprime që bie ndeshë me ligjin”, ka thënë Azemi.
Në këtë derbi, besohet se do të ketë mysafirë të shumtë, zyrtarë institucional, madje edhe zyrtarë vëzhgues nga mekanizma të caktuar të institucioneve të futbollit ndërkombëtarë.
Pasi është diskutuar në tërësi skenari i përgatitjes, marshoimit së tifo-grupeve para ndeshjes, lokacionet e grumbullimeve, kohës së marshimit, të koreografisë…, është theksuar se Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, duke pasur parasysh edhe përvojat e së kaluarës, ndërsa është nënvizuar se organet e rendit do të mbështesin kulturën e animit të skuadrave, por deri atëherë kur nuk bëjnë veprime të paligjshme.
Të dyja taborët pjesëmarrëse në takim janë dakorduar që ky derbi të përcillet me një kulturë të lartë sportive.
Sevdail Robelli, drejtor ekzekutiv në KF Gjilan, ka kërkuar përmbajtje adekuate nga të dy tifozëritë.
“Ne jemi në proces të licencimit prej UEFA-s. Këtu duhet pas kujdes pasi ka monitorim. Disa fonde kanë ardhur prej UEFA-s. Askush nuk jep para e të të lë të bash çfarë të duash. Unë e di që tifozët tanë, të të dy skuadrave, përpos disa rasteve të caktuara në të kaluarën, nuk janë grupe që prodhojnë situata të pa – menagjueshme. Jemi në përfundim dhe mendoj që janë bërë të gjitha përgatitjeve përpos detajeve të cilat do të përfundohen së shpejti”, ka thënë Robelli.
Ndërkaq Lorik Ilazi, Drejtor Operativ i KF Drita, ka kërkuar nga të dy taborët e tifozërive të jenë më të kujdesshëm.
“Herën e fundit e dimë që kemi pasur prezentë përfaqësues nga UEFA por edhe zyrtarë nga Gjermania që e kanë përcjellë ndeshjen, si dhe gazetarë e fotoreporterë nga Holanda, Anglia. Ata përveç plasimit të gjërave pozitive në opinion, nuk ngurrojnë të prezantojnë edhe gjërat negative. Është fat që ndeshjen e fundit ka pasur shumë gjëra të mira nga tifozëritë, prandaj I lus në emër të Klubit dhe kryesisë për kujdes, pasi pikërisht tifozët kanë qenë ata që kanë bërë këtë interesim për këtë derbi”, ka thënë Ilazi.
Pasi janë diskutuar detajet e përgjithshme, tifozëritë e dy palëve dhe zyrtarët e skuadrave janë dakorduar me Policinë për skenarin e përgjithshëm të organizimit sa më të mirë të ndeshjes, përfshirë kohën e grumbullimeve, lokacionet e tubimeve e kohën e marshimit.
Përfaqësuesit e tifozëve u njoftuan se në mbledhjet e tifozëve do të jenë prezentë edhe zyrtarë nga Policia e Kosovës, për të dhënë detaje të tjera rreth rregullave dhe masave që do të ndërmerren ditën e derbit. /E. SH/