Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se janë konfirmuar edhe katër raste të reja të të prekurve me koronavirus në Kosovë.
“Mbrëmë vonë, bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste të reja pozitive me COVID-19. Të katër rastet janë nga fshati Stubëll e Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me COVID-19, me datë 13.03.2020. E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë”, ka thënë Vitia.
Sipas tij, në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e qytetarëve është e domosdoshme.
“Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, ka thënë Vitia.
Përndryshe, deri më tani, numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në 13. Ata janë nga Vitia (7), Malisheva (4), Podujeva (1) dhe Klina (1).